Në orën 18:00, siç ishte paralajmëruar, ka nisur mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, ku është regjistruar edhe përballja e parë midis Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, pas përplasjes me deklarata në distancë.
Si për të treguar se mbetet ende një zë i fortë në parti, pavarësisht thirrjes së Metës për të luftuar nepotizmin, Kryemadhi mbante veshur një bluzë më mbishkrimin: “Jam këtu!”.
Meta pasi ka hyrë në sallë i ka takuar të gjithë me radhë. Pasi hodhi vështrimin nga fundi i rreshtit dhe pa Kryemadhin në shoqërinë e Elona Gurit dhe Edmond Panaritit, ai u shpreh: “O paskemi mysafire, paska ardhur Lona”.
“Ne jemi të shtëpisë!”, iu përgjigj Elona Guri, me të cilën Meta pati më pas një përqafim, si për të shuar zërat se bashkëpunëtorja e afërt e tij dhe Kryemadhit do të jetë e përjashtuara e radhës nga partia, pas ish-nënkryetarit, Endrit Braimllari.
Më pas një shtrëngim duarsh me bashkëshorten e tij, teksa Kryemadhi u kujdes që Meta të merrte mesazhin e stampuar në bluzën që ajo mbante veshur. (A2 Televizion)