Argita Malltezi e ka cilësuar Lulzim Bashën si një zhgënjim në çdo rrafsh, sipas së cilët krijoi modelin e gabuar të një opozite. Sipas saj, Basha krijoi një opozitë që lë kauzat në mes si edhe u ofroi njerëzve komoditetin e të qenit në opozitë. E ftuar në A2 CNN, në emisionin Debat me Alba Alishanin, Malltezi ka treguar se sot nuk ruan asnjë kontakt me Lulzim Bashën.
“Basha një zhgënjim në çdo rrafsh, çdo kush ka përgjegjësin e vet, ndoshta problem kryesor që u krijua ishte krijimi i modelit të një opozite që lë kauzat në mes dhe krijon komoditet në opozitë, partia përfaqëson mbështetësit dhe votuesit dhe prandaj duhet të luftojë që të sjellë njerëzit në pushtet, jo për të sjellë disa deputetë në pushtet”, u shpreh Malltezi.
Duke u ndalur te qeveria, ajo u shpreh e bindur se qeverisja e Edi Ramës do të rrëzohet njësoj si në 1990.
“Ky regjim do të përmbyset njësoj si në 1990 kur ra sistemi sepse është një narkosistem që kontrollon çdo gjë me mjete jo ligjore. Goditjet që ka marrë opozita kanë qenë të paimagjinueshme për një shtet ligjor, por opozita ka reaguar. Masa ndaj Berishës u mor atëherë kur grupet parlamentare të PD u bashkuan, arrestimi i Berishës solli energjizimin e njerëzve”, përfundoi Malltezi në A2 CNN. (A2 Televizion)