E ftuar në “Debat nga Alba Alishani” në A2 CNN ishte Argita Malltezi, vajza e liderit demokrat të Rithemelimit, Sali Berisha, e cila ka folur në lidhje me atë që po ndodh brenda kësaj force politike dhe aksionin opozitar prej disa muajsh tanimë, që prej lënies në “arrest shtëpie” të Berishës.
E pyetur nëse protesta që mbahet cdo ditë poshtë shtëpisë së liderit demokrat është e arsyeshme dhe nëse ka një deadline për mbajtjen e saj, Malltezi u shpreh se, kjo është një protestë që nisi në mënyrë spontane, pavarësisht se, sipas saj, juridikisht nuk e kishte menduar që do të arrinte deri në këtë pikë.
Malltezi shton gjithashtu se, protesta synon të përçojë një mesazh te qytetarët për kauzën në fjalë dhe për kapjen e sistemit të drejtësisë, që është një çështje që mund të trokasë në dyert e secilit prej tyre.
“Në datë 30 maj bëhen fiks pesë muaj nga data e caktimit të masës së arrestit, protesta ka nosur dy ditë më vonë. Por në raport me Jamarbër Malltezin, kjo ka nisur dy muaj e gjysmë më përpara kështu që është edhe më e hershme sesa kaq.
Kjo është një protestë që filloi në mënyrë spontane, sepse pavarësisht se çdo gjë pritet nga ky pushtet, juridikisht nuk e mendoja që do të arrinte deri këtu. Protesta ka një qëllim dhe ky është kundërshtimi i vendimit për arrestimin e kreut të PD si mjet për të nënshtruar opozitën dhe sigurisht që e arrin qëllimin e saj atëherë kur të bjerë kjo kauzë, pasi nuk do të jetë më çështje.
Ne presim që procesi ligjor, që është i kontrolluar nga ato që japin urdhra politikë, të avancojë duke na mundësuar ankimime të mëtejshme në forumet ndërkombëtare, por pikë së pari kjo protestë synon të përçojë një mesazh te qytetarët për kauzën në fjalë dhe për kapjen e sistemit të drejtësisë, që është një çështje që mund të trokasë në dyert e secilit prej tyre.”, u shpreh ndër të tjera Malltezi në “Debat nga Alba Alishani” në A2 CNN. (A2 Televizion)