Argita Malltezi në krye të partisë?! Belind Këlliçi: Asnjë surprizë, por PD-ja s’ka luksin të trashëgojë pushtetin

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 13:48 | Politikë

Ish-kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht një nga emrat e lakuar si kandidat potencial për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN, ku ndër të tjera ka komentuar deklaratën e dy ditëve më parë të Argita Malltezit, e cila në Debat në A2 CNN u shpreh se është e gatshme për çdo pozicion në Partinë Demokratike.

Belind Këlliçi u shpreh se si çdo anëtarë i PD-së edhe Argita Malltezi ka të drejtën për të garuar për çdo pozicion, por theksoi se PD-ja nuk e ka luksin për trashëgim të pushtetit dhe këtu kujton Lulzim Bashën.

“Ka folur me fjalët e saj dhe me gojën e saj që nuk e ka këtë projekt, por si çdo anëtar i Partisë Demokratike, do të ishte e hapur të garonte në çdo moment përballë çdokujt me platformën e saj për çdo pozicion. Krejt korrekte, krejt normale, asnjë surprizë në deklaratën e saj. Përkundrazi, ka thënë se është kundër trashëgimisë dhe askujt nuk i takon të trashëgojë pozicionin e dikujt tjetër, jo në PD, por në asnjë forcë tjetër

E bëmë njëherë një gabim, me dikë që u vendos aty në formën e një trashëgimtari dhe ju fal drejtimin e Partisë Demokratike. Nuk e ka më luksin Partia Demokratike të trashëgojë askush pozicionin e drejtuesit të mëparshëm. Secili do të duhet ta fitojë me garë bazuar në platformë dhe Argita nuk përbën përjashtim nga të tjerët”, tha Këlliçi.

Një ditë më parë, po në A2 CNN, deputeti demokrat, Dash Sula, u shpreh kundër që Partia Demokratike të drejtohet nga Argita Malltezi. Ai tha se kjo do shënonte një rënie të kauzës opozitare. Sula është i mendimit që Sali Berisha do duhet të tërhiqet për të mirën e opozitës e nëse nuk e bën këtë, thotë se faji do të ishte vetëm i tiji, duke ia dorëzuar fitoren Edi Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos