Mbërrin në Rinas Sekretari i Jashtëm britanik, pritet nga ministri Hasani

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 11:36 | Politikë

Ka mbërritur në Rinas Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar. Ai është pritur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, i cili në një postim në rrjetet sociale është shprehur: “Kënaqësi të mirëprisja në Tiranë, Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin, Lord David Cameron”.

Sipas tij, përballë kërcënimeve, ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësor.

“Në kuadër të kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane, ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësor, duke përfshirë forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe adresimin e sfidave për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Hasani.

Migracioni i paligjshëm, krimi i organizuar, siguria e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimi mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, janë temat kryesore që do të diskutohen sot gjatë vizitës së sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron në vendin tonë. 

Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, me presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos