Arrestimet për “Partizanin”, Rama: Fillimi i fundit, ata që s’ia kanë mbathur do të përfundojnë aty ku kanë nisur të shkojnë

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2023, 18:04 | Politikë

Arrestimet për “Partizanin”, Rama: Fillimi i fundit, ata

“Është vetëm fillimi i fundit.” Ka qenë ky reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të Jamarbër Malltezit dhe vendosjes së masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj paraardhësit të tij në qeveri, Sali Berisha për dosjen “Partizani.”

Nga Fieri ku u mbajt Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste, kryesocialisti Rama deklaroi se nuk do të jetë e largët koha kur të gjitha “të gjitha vatrat e krimit të organizuar do të shuhen.”  

“Tani është edhe SPAK. Çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash të profilit të larta është vetëm fillimi i fundit. Që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara të Shqipërisë.”

Pa përmendur emra, kreu i qeverisë kujtoi edhe ata që janë larguar nga vendi pasi ndaj tyre është hapur hetimi nga Struktura e Posaçme, SPAK.

“Të gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajën të rrinë në Shqipëri se një pjesë ja kanë mbathur do përfundojnë aty ka kanë filluar të shkojnë.”

Teksa fliste për reformën në Drejtësi, Rama deklaroi se PS e ka nisur shumë kohë më parë, kur ishte në opozitë dhe i propozoi qeverisë së asaj kohë një pakt kombëtar për drejtësinë.

Për kreun e qeverisë, drejtësia sot po funksionon dhe pandëshkueshmëria nuk është mit vetëm prej kapacitetit shtet-bërës që ka, sipas tij,partia që ai drejton. 

Ka ardhur në pikën që nuk mban me kjo punë. Jo amerikanët, por gjithë forcat e NATO-s bashkë nuk e bënin dot këtë. E para sepse nuk është punë e tyre, në kuptimin që nuk angazhohen hajde ta bëjmë këtë. E dyta, besojeni këtë sepse është një nga arsyet themelore për të qenë krenarë për këtë familje politike. Nëse sot pandëshkueshmëria nuk është më mit dhe gjithkush është i ndëshkueshëm kjo ndodh sepse ekziston PS. Askush tjetër. As ata që ishin, as ata që duan të jenë. Nuk e kanë këtë kapacitet shtet-bërës që ka PS në ADN-në e vet sepse që nga viti 1991 në Shqipëria ka pasur dy forca, një forcë që ka shkatërruar dhe një që ka rindërtuar.

 

Sipas Ramës, i cili thekson se është krenar për familjen e tij politike pavarësisht se disa prej anëtarëve kanë rënë në rrjetën e SPAK, reformën në Drejtësi nuk e bëri SHBA, por Partia Socialiste.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu