Seanca parlamentare e djeshme u përfshi nga tymi i flakadanëve. Opozita tentoi bllokimin e punimeve, por arriti të ndalonte vetëm fjalën e socialistëve, pasi pikat e parashikuara në rendin e ditës për t’u votuar u miratuan të gjitha. Pavarësisht kësaj, Sali Berisha e quajti aksionin si një grevë të përkohshme, ndërsa me largimin e deputetëve, në sallë u fut Policia e Shtetit, duke e konsideruar Parlamentin skenë krimi.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, ka mësuar se pas atyre veprimeve, socialistët kanë nisur mbledhjen e firmave për përjashtimin e deputetëve që penguan zhvillimin normal të seancës. Deri tani, janë evidentuar vetëm 3 deputetë demokratë, të cilët, sipas mazhorancës, kanë shkelur rregulloren e Kuvendit dhe duhet të ndëshkohen.
Pavarësisht se deri tani nuk ka ende një kërkesë zyrtare, Ervin Salianji, i cili ndezi flakadanin në foltore, është një nga 3 deputetët që do të kërkohen të përjashtohen. Socialistët po tregon të kujdesshëm krahasuar me rastet e mëparshme.
Vlen të theksohet se në dy javët e ardhshme nuk do të ketë seanca plenare, por vetëm komisione ku do të diskutohet projektbuxheti. (A2 Televizion)