“Duan të bëhen kamikazë për Berishën”, Baçi debat me Nesturin: Aksioni i sotëm i paplanifikuar, hapi i radhës varet nga qëndrimi i PS

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2023, 19:40 | Politikë

Për analistin Plator Nesturi, PD-ja e Rithemelimit e “kishte ndier” që priteshin zhvillime nga SPAK (arrestimi i Jamarbër Malltezit dhe masa e sigurisë ndaj Sali Berishës për dosjen Partizani), dhe kjo ishte arsyeja që disa ditë më herët nisën trazirat në Parlament.

Megjithatë, deputeti demokrat Luan Baçi nga radhët e Rithemelimit, i ftuar pasditen e së enjtes në “Ditari” në A2 CNN, theksoi se ishte mazhoranca ajo, që e trembur nga bashkimi i opozitës, “kërkoi të godiste Berishën duke përdorur SPAK-un në mënyrë që ai të tërhiqej."

Madje, sipas zotit Baçi, as trazirat e sotme në Kuvend nuk ishin bërë me plan, por u vendosën gjatë mbledhjes së Grupit. Dhe, hapi i radhës i Rithemelimit sipas tij, do të varet nga qëndrimi i mazhorancës. 

Nga ana tjetër, Nesturi theksoi se aksioni i nisur javët e fundit në Parlament është politik dhe jo opozitar.

“Opozita vetë është e fragmentizuar brenda saj, edhe brenda atyre 43 deputetëve, kemi qasje të ndryshme,” shtoi ai.

Kujtojmë se seanca parlamentare e kësaj të enjteje u përfshi nga tymi i flakadanëve. Opozita tentoi bllokimin e punimeve por arriti të ndalonte vetëm fjalën socialistëve pasi pikat e parashikuara në rendin e ditës për t’u votuar u miratuan të gjitha.

Pavarësisht kësaj, Sali Berisha e quajti aksionin si një grevë të përkohshme, ndërsa me largimin e deputetëve, në sallë u fut Policia e Shtetit, duke e konsideruar Parlamentin skenë krimi.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi