Ish-kryeministri Sali Berisha tha pas mbledhjes së grupit parlamentar se personi që shtyu deputetin Ervin Salianji në sallën e seancave plenare ishte i armatosur. I pyetur nga gazetarët nëse ka prova për këto akuza, Berisha deklaroi se i posedon ato.
“Personi që qëndronte prapa zotit Ervin Salianji, ka qenë i armatosur me revole të fshehur ndër sqetull. Ky përbën një akt të paprecedent në historinë e këtij parlamenti. Të tjerë persona të armatosur janë parë përreth parlamentit, por në sallë kjo nuk ka ndodhur në memorien time, asnjëherë.
Këtu tek zyra e kryetares ishin pozicionuar, ju siguroj ju, më shumë roje se kur qëndronte Enver Hoxha në atë zyrë. Por, natyrisht këto nuk ndryshojnë asgjë në qëndrimin e prerë të opozitës. Opozita, në emër të qytetarëve që e kanë votuar atë, kërkon respektimin e të drejtave të saj kushtetuese.
Opozita nuk mund të pranojë kurrë të qëndrojë në parlament si një fasadë pluralizmi për interesa të Edi Ramës. Opozita nuk bën pazare me parimet themelore të funksionimit të parlamentit dhe pluralizmit.
Edi Rama nuk pranon sepse e ka shumë të qartë se ai bashkë me organizatën e tij kriminale që drejton, çdo komision hetimor parlamentar do zbulojë vjedhje dhe skandale që do vënë në harresë djegësat, vjedhjen e shekullit.
Pra, i gjithë ky qëndrimi përcaktohet nga refuzimi për t’u hetuar nga komisioni hetimor parlamentar, siç e përcakton ligji. Por ne jemi ata që nuk do pranojmë në mënyrë absolute mohimin e këtyre të drejtave.
Ne nuk mund të themi që në zbatim të këtyre të drejtave, do të hetojmë ta zëmë Subashin në Fier dhe të mos hetojmë dot Edi Ramën dhe ministrat e tij. Subashi është i implikuar dhe i implikuar thellë, por ne duam të zbatohet Kushtetuta”, u shpreh ndër të tjera Sali Berisha. (A2 Televizion)