Bardhi kallëzon Nikollën, Berisha flet për gardistë të armatosur në parlament, mohon Garda

Nga Anesti Barjamemaj
2 Nëntor 2023, 16:57 | Politikë

Në përfundim të seancës së tensionuar në Kuvend, deputetët demokratë zhvilluan një mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar, në prezencë të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës.

Ish-kryeministri para mediave pretendoi se të paktën një prej gardistëve në sallën e Parlamentit ishte i armatosur.

“Personi që qëndronte prapa z. Ervin Salianji ka qenë i armatosur me revole të fshehur nën sqetull. Në mënyrë absolute kemi prova se personi i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin, e detyroi Ervin Salianjin ta shtynte në atë mënyrë dhe ai kishte armën”.

SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE, RITHEMELIMI

Pas këtij pretendimi, Garda e Republikës reagoi duke mohuar diçka të tillë.

“Lidhur me pretendimin e disa deputetëve të opozitës, se punonjës të Gardës në seancën parlamentare kanë qenë me armë në sallë, Garda e Republikës sqaron se: Ky pretendim është tërësisht i pa vërtetë. Asnjë prej punonjësve të Gardës së Republikës, siç parashikon baza ligjore në fuqi, nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri brenda sallës ku zhvillohen punimet”. 

REAGIMI I GARDËS SË REPUBLIKËS

Mbledhja e demokratëve që zgjati më shumë se 60 minuta nuk mori vendime për përshkallëzimin e aksionit, por si përgjigje ndaj sjelljes së maxhorancës, Gazment Bardhi njoftoi se do të kallëzojë penalisht kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

“Me urgjencë do të depozitojmë kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetares së kuvendit që mendon se do të trembë opozitën me Gardën apo punonjës policie të armatosur”.

GAZMENT BARDHI – KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

Berisha dhe Bardhi premtuan edhe njëherë se aksioni i opozitës do të dalë jashtë parlamentit, por nuk treguan një datë se kur do nisin takimet me qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos