Investigimi nga BBC: Kompanitë që lidhen me Putin-Prigozhin financuan dhe Bashën

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2023, 13:59 | Politikë

Kompania që financoi fotografinë e Lulzim Bashës me Donald Trumpin president në 2017-n, ka lidhje me një firmë offshore, rrënjët e së cilës shkojnë deri te Vladimir Putin dhe Yevgeny Prigozhin. Këtë e raporton media prestigjioze britanike, BBC, që ka kryer një investigim të gjatë se si Alpha Consulting me bazë në Seychelles ka krijuar disa kompani që përdoren nga rrethi i ngushtë i presidentit rus dhe ish-liderit të Wagner. Mes tyre, është edhe firma skoceze Biniatta Trade LP e kontraktuar nga zoti Basha, që rezulton me drejtues rus.

Media prestigjioze britanike, BBC, përmes një investigimi të gjatë, ka zbërthyer me detaje mënyrën se si një firmë offshore, po ndihmon në krijimin e disa kompanive që përdoren nga rrethi i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin dhe nga ish-lideri i Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Në materialin e publikuar, përmendet dhe Lulzim Basha, si një nga përfituesit e ndihmës financiare nga kompani me origjinë ruse. Gjithçka lidhet me Alpha Consulting me bazë në Seychelles dhe BBC ka zbuluar dokumente sekrete duke analizuar informacionet e dala nga investigimi për skandalin “Pandora Papers”.

Rasti që përfshin zotin Basha ka të bëjë me kompaninë Biniatta Trade LP, e cila në mars të 2017-s pagoi një lobist amerikan në emër të kreut të atëhershëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë për të mundësuar takimin dhe fotografinë e Bashës me presidentin e atëhershëm Donald Trump. BBC përmend raportimet e shërbimit sekret amerikan, që besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha të ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500 mijë dollarë.

Pronësia e Biniatta-s ishte fshehur përmes sekretit të kompanisë offshore dhe drejtorëve të rremë, por dokumentet e zbuluara të Alpha-s përfshijnë një marrëveshje nga viti 2015, kur u krijua partneriteti, i cili emëronte pronarin përfitues si një shtetas rus i quajtur Maxim Trofimets.

INVESTIGIM I BBC

Pronarja e Alpha-s, Victoria Valkovskaya, pas raportimeve në media në 2018, kishte udhëzuar Biniattën për mënyrën se si mund të fshihte pronësinë e saj duke përdorur një fondacion në Seychelles.

Në shtator të këtij viti, Këshilli i Europës caktoi zotin Basha për të përgatitur një raport për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit rus. Ai tha se nuk kishte konflikt interesi. BBC u përpoq të kontaktonte z. Trofimets dhe z. Basha, por ata nuk u përgjigjën.

INVESTIGIM I BBC

Zonja Valkovskaya, drejtoresha e përgjithshme e Alpha-s, tha se ajo "kategorikisht" mohoi që kompania e saj të ishte e përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi