Gjykata Civile rrëzon kërkesën e përfaqësuesve të PD-së së Bashës për dorëzimin e dokumentacioneve shtesë nga grupi i Gazment Bardhit, të bërë në seancën e datës 1 nëntor.
Edhe pse gjykata u la 2 ditë kohë për paraqitje shtesë të dokumenteve për të vërtetuar zhvillimin e Këshillit Kombëtar nga ana e Bardhit, përfaqësuesit thanë në gjykatë se nuk është procesi në fjalë për të sjellë këto dokumente.
Sipas vlerësimit të gjykatës, me trupë Niko Rapi në dosje ka dokumentacione të mjaftueshme dhe me këtë arsyetim u rrëzua pala e Bashës. Për shkak të këtij vendimi, përfaqësuesi i Lulzim Bashës, Indrit Sefa, kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Niko Rrapi.
Gjykata deklaroi në vijim se vendimi për kërkesën për përjashtim do të merret nga një trupë gjykuese. Në rast të mos pranimit për ndryshim të gjyqtarit, seanca e radhës vendoset në datë 13 nëntor, ora 15:00.
“Kjo që patë sot është vazhdimi i lojës së turpshme të grupimit të z. Basha për të zvarritur Statusin ligjor të PD-së, ndërkohë që demokratët dhe opozitarët presin që kjo të marrë fund një orë e më parë që ta përqendrojmë gjithë betejën tonë kundër regjimit të Edi Ramës”, u shpreh avokati i Gazment Bardhit, Marash Logu, pas interesimit të mediave. (A2 Televizion)