
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka reaguar pas akuzave të bëra nga deputeti socialist Ardit Bido lidhur me pronësinë e familjes së tij në një investim turistik në Ksamil, brenda një zone të mbrojtur.
Ai sqaron se nuk mund të quhet "ortak me oligarkët" vetëm se babai i tij zotëron një përqindje të vogël në një investim prej së paku 70 vilash buzë vijës bregdetare të Jonit.
Duke rikthyer një reagim publik, Muçi shpjegon historinë e përfshirjes së familjes së tij në projektin e Ksamilit, duke e lidhur atë me babanë e tij, Fredi Muçi, dhe xhaxhait të tij, Maks Muçi, të cilët sipas tij në vitin 1993 themeluan kompaninë e ndërtimit SCAI së bashku me investitorë italianë.
Sipas tij, kompania nisi ndërtimin e një fshati turistik në Ksamil në vitet 1995-1996, por projekti u ndërpre pas trazirave të vitit 1997.
Muçi pretendon se pala shqiptare nuk u kompensua kurrë për investimet e kryera, të vlerësuara në rreth 80 mijë euro, dhe se më vonë projekti kaloi në duart e investitorëve të tjerë, mes të cilëve edhe biznesmeni Artan Dulaku.
Muçi sqaron se kompania SCAI u bë pjesërisht pronare e tokës ku do ngriheshin 70 vila.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë pretendon se nga ky investim i madh, pavarësisht se i ati thotë se është aksioner, nuk ka fituar të ardhura.
Reagimi i Muçit vjen pasi Ardit Bido e akuzoi publikisht për standarde të dyfishta në raport me investimet në zonat e mbrojtura, duke ngritur pyetje mbi pronësinë e familjes së tij në Ksamil dhe qëndrimet e tij kundër projektit turistik në Zvërnec.
Bido i kerkoi llogari se pse nuk flet për projektin mbi zone te mbrojtur ku babai i tij është bashkëpronar.
Ndërkohë, nga ana tjetër edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka lëshuar deklarata të forta ndaj deputetit dhe biznesmenit Agron Shehaj ku e ka akuzuar për gjobëvënie ndaj bizneseve të mëdha në vend. (A2 Televizion)