Pak pasi Gazment Bardhi në Kuvend kërkoi interpelancë urgjente me kryeministrin, duke i bërë thirrje kryeparlamentares Elisa Spiropali, që të ndalë seancën dhe ta thërriste, Edi Rama i është përgjigjur kreut të Grupit të PD, përmes një postimi në platformën ‘X’.
Bardhi kërkoi interpelancë me shefin e qeverisë për ekzekutimin e pagesës prej 110 milionë euro për çështjen “Becchetti”, pas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar kundër Shqipërisë, por Rama shprehet se nuk ka asnjë letër të dal nga shteti shqiptar që tregojnë se është shlyer ndonjë detyrim për llogari të personit në fjalë.
Sipas kreut të ekzekutivit, Partia Demokratike po e përdor këtë shpifje ashtu siç ka bërë në çdo palë zgjedhje që nga 2021, kur madje vendosi edhe fletushka nëpër makina për të baltosur PS-në, por sipas tij mori 1 milionë vota kundër nga shqiptarët.
“Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, se sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës! Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të “100 e ca milionë Eurove” të humbura për shkakun tim. Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike. Po pyetja sot është: A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumenta shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?!”, shkruan Rama në ‘X’.
Rama insiston më tej se Becchetti, të cilin e etiketon si kriminel, nuk është paguar nga shteti shqiptar asnjëherë. Madje shefi i qeverisë nënvizon se Shqipëria e ka paditur biznesmenin italian për korruptim të Arbitrazhit, trupën e së cilës e quan grup kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë e kravatë.
“Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë. Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë! Tani këta katranë me bojë dinë vetëm të shpifin, pastaj shpifjen ta përhapin në kanalet e ujrave të tyre të zeza mediatike dhe pastaj të kërkojnë komisione hetimore e intepelanca, për të kërkuar llogari nga ne për shpifjet e tyre! Mirëpo kjo lojë nuk ecën dot fare me ne dhe gjykata e llogarive tona e të tyre do të na dëgjojë e do të na japë hakun në pranverë, kur populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve këtë herë, do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë e me kismet, të mësojë se si mund të qeverisë në të ardhmen”, shton më tej Rama.
Në përfundim ai nënvizon se do të shkoj të përballet në çdo interpelancë me Gazmend Bardhin, “por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është”. (A2 Televizion)