Gazment Bardhit dhe deputetëve të tjerë të opozitës, të cilët janë përjashtuar për shkak të trazirave të shkaktuara në Kuvend, u është ndaluar hyrja në godinën e Kryesisë. Mësohet se Garda, deri më tani, ka një urdhër që këta deputetë të mos i lejojë të futen në godinë.
Ndërkohë, e hëna nis me një agjendë të ngjeshur në Kuvendin e Shqipërisë.
Në rendin e ditës janë parashikuar 5 komisione parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese, ku kryefjalë do të jetë projektbuxheti i vitit 2024.
Megjithatë, në punimet e komisioneve, sikurse ka ndodhur përgjatë javëve, nuk pritet të ketë normalitet, pasi opozita pritet të vijojë me skenarin e kaosit, për të mos lejuar punime normale në Kuvend derisa të plotësohen 3 kërkesat e tyre (mospërfshirjen e PS-së në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD-së, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare).
Por, socialistët e kanë gati skenarin “B”, pasi mbledhjet janë zhvendosur online, pavarësisht se kjo mënyrë parashikohet vetëm në situatë të jashtëzakonshme.
Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me në krye Gazment Bardhin do të bëjnë një mbledhje rreth orës 10:15 të ditës së sotme.
(A2 Televizion)