Nënkryetari i këshillit Bashkiak të Tiranës Dorian Teliti ka ngritur disa pikëpyetje mbi buxhetin e viti të ardhshëm. Sikurse deklarimeve të disa ekspertëve, edhe Teliti shprehet se buxheti i vitit 2024 nuk i përgjigjet sfidave të vendit siç janë sipërmarrje, shëndetësia dhe arsimi apo bujqësia dhe pensionistët. Sipas tij “ky projektbuxhet mbështet vetëm disa miq e shokë të lidhur ngushtësisht interesat me qeveritarët, ndërkohë që vazhdon të braktisë nevojtarët dhe godet me rritje taksash sipërmarrjen vendase”.
Deklarata e Plotë e Telitit
Prej disa ditësh po shohim sesi mazhoranca po bën çmos që t’i mbyllë çdo hapësirë kushtetuese opozitës për të ngritur komisionet hetimore, po bën çmos për të eliminuar çdo hapësire opozitës për të trajtuar hallet dhe shqetësimet e njerëzve dhe ekonomisë.
Të gjithë ishim dëshmitarë të mbledhjeve shtruar këmbëkryq mbi bakllava, duke folur për buxhetin e vitit 2024 sikur ato të ishin llokma për t’u ndarë sipas oreksit dhe interesave personale.
Mos vallë qeveria dhe deputetët e saj kanë frikë nga disa të vërteta?
Le t’i marrim një nga një faktet kokëforta të bakllavasë buxhetore të ofruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij.
A është ky buxheti i sipërmarrjes? Jo, nuk është, pasi nuk ka asnjë politikë lehtësuese për të bërë biznes në vendin tonë. Për më tepër shumë prej tyre do përballen me rritjen e akcizave dhe kostove që ajo po sjell.
A është ky buxheti i profesionistëve të lirë? Jo, nuk është, përkundrazi, ndonëse me shumë mund e djersë kanë ngritur sipërmarrjen e tyre, vitin e ardhshëm profesionistët e lire do të tatohen dhe do paguajnë 28 milionë euro shtesë nga xhepat e tyre.
A është ky buxheti i shëndetësisë dhe i arsimit? Jo nuk është, shëndetësia do marrë vetëm 2.8% të PPP-së, dhe arsim vetëm 2.3% të PBB-së. Besoj i mbani mend premtimet e harruara të financimit 5% të këtyre sektorëve të rëndësishëm.
A është ky buxheti i bujqësisë dhe fermerit? Jo nuk është, qeveria nuk heq dorë nga skema e diferencimit të TVSH-së në hyrje-dalje dhe vazhdon të japë subvencionë disa herë më të ulëta sesa nevojat e sektorit, duke vazhduar të qenurit të fundit në rajon edhe për vitin e ardhshëm, me të paktën 2 herë më pak subvencionë krahasuar me vendin e parafundit të renditur në rajon.
A është ky buxheti i pensionistëve? Jo nuk është. Ndonëse çmimet e shportës së konsumit vazhdojnë të rritën me ritme të larta, pensionet në rastin më të mirë thjesht do të indeksohen, detyrim ligjor ky i 20 viteve të fundit. Rritje reale të pensioneve fatkeqësisht nuk do të ketë.
A është ky buxheti i familjeve në nevojë? Jo nuk është, pasi asnje qindarke me shume sdo marri keto familje, ndonëse edhe ajo lëmoshë qe ata marrin nga buxheti do gerryhet akoma edhe me shume nga inflacioni i muajve në vijim. Ndonjë paketë sociale mbështetëse as qe bëhet fjalë të ndërmerret nga qeveria.
A është ky buxheti i ish-të përndjekurve politike? Jo nuk është, ata mbetën të harruar dhe shifrat tregojnë që me këto ritme do duhen të paktën 3 dekada të tjera për të shlyer detyrimin financiar ndaj ish të përndjekurve dhe trashegimtarëve të tyre.
A është ky buxheti qe mbështet pushtetin vendor? Jo nuk është, pasi transferta e pakushtëzuar, aq jetike për pjesën dërrmuese të bashkive të vendit, është në minimumin e detyrimit ligjor, atë të 1% të PBB-së.
Po i kujt është ky buxhet?
A mos ndoshta është buxheti i bixhozit? Po është, ndryshe nga çfarë thoshte Edi Rama 5 vite me pare, qe bixhozi është haram, qeveria parashikon të ligjërojë përsëri bixhozin dhe të marrë 18.7 milionë euro taksim nga ky biznes haram.
A mos ndoshta është buxheti qe do të paguajë dhjetëra milionë euro vendime të gjykatave ndërkombëtare, detyrime që kanë ardhur si pasoje e keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes në vendin tonë? Po, janë të paktën 195 milionë euro, dhe jo vetëm, të cilat do duhet të paguhen nga leket tona për zbatimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
A mos ndoshta është buxheti i PPP-ve klienteliste dhe korruptive? Po është, plot 134 milionë euro për 10 kontratat PPP do jepen gjatë vitit të ardhshëm. Këto 10 kontrata PPP do marrin tre here më shumë fonde seç marrin 64 mije familje me ndihme ekonomike gjatë gjithë 2024.
Këto të dashur qytetarë janë të vërtetat e hidhura të buxhetit të vitit të ardhshëm, ndaj qeveria bën çmos me propagandën e saj që t’i fshehë e të vazhdojë t’ju mashtrojë për të 11 vit rradhazi.
Projekbuxheti i vitit të ardhshëm nuk është aspak serioz, nuk i jep përgjigje sfidave madhore të vendit tonë, nuk mbështet sektorët e ekonomisë reale, nuk mbështet arsimin, shendetësinë, bujqësinë apo edhe turizmin. Nuk mbështët politikat për rritjen e popullsisë, uljes se emigracionit që dita ditës po gërryen shoqërinë dhe fuqizimit të rinisë shqiptare.
Ky projektbuxhet mbështet si përherë vetëm disa miq e shokë të lidhur ngushtësisht interesat me qeveritarët, ndërkohë që vazhdon të braktisë nevojtarët dhe godet me rritje taksash sipërmarrjen vendase. (A2 Televizion)