Si do të jetë e nesërmja e opozitës në parlament? Mziu: Mund të shkojmë edhe në grevë urie

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2023, 20:35 | Politikë

Nëse nuk do të ketë reflektim nga mazhoranca, opozita do të përshkallëzojë qëndrimin e saj duke shkuar në grevë urie. Këtë paralajmëroi në studion e Ditarit në A2 CNN, deputeti Partisë Demokratike Xhelal Mziu.

“Ne nuk jemi futur dhe po bëjmë zhurmuesin, struktura e grupit të deputetëve të opozitës, kemi informuar ambasadat, kemi dhënë bazat ligjore, po informojmë dhe strukturat ndërkombëtare që janë të interesuar për funksionimin normal të parlamentit. Ne i kemi të përcaktuara kërkesat;  bëni miratimin e këtyre komisioneve. Nëse nuk ngrihen komisionet mund të shkojmë edhe në grevë urie, derisa sak kryeministri e mazhoranca të mësojnë që duhet respektohet kushtetuta dhe rregullorja e parlamentit”.

Për kaosin e krijuar një ditë më parë në parlament, Mziu deklaroi se dy prej gardistëve ishin të armatosur. Lajm ky që është konfirmuar edhe nga Sali Berisha, por që është mohuar nga Garda e Republikës.

“Kemi tentuar të bllokojmë funksionimin e parlamentit pas mohimit të komisioneve hetimore. Dita e djeshme na imponoi veprime të tilla, sjellja e gardës na imponoi. Dy prej gardistëve ishin të armatosur”.

Në A2 CNN ai foli edhe për përplasjen fizike mes tij dhe deputetit socialist Xhemal Qefaliaj.

“Është e vërtetë asnjë nga koleget e mi nuk dëshiron të përplaset, nuk ndjehemi komodë, por jemi të imponuar për të gjetur një mënyrë reagimi. Ne të vetmen gjë që mund të përdorimin është bllokimi i vazhdimit të seancës. Shumica e kolegëve të majtë e mirëkuptojnë, por ndonjë i imponon për përplasje. Rasti i djeshëm ishte një veprim që u habita, i cili u përplas me Likajn, Dogjanin tek unë dhe Spaho. Mu duk e çuditshme”.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni