Në ditën e dytë të qëndrimit në Letoni, presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në komandën e Grupit të Betejës në Kamp Adazi, ku takoi efektivat e Forcave të Armatosura Shqiptare që shërbejnë atje, shkruan A2
Ai u prit me një paradë ushtarake në prani të Ministrit letonez të Mbrojtjes, z. Andris Sprūds, dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerallejtënant Leonīds Kalniņš.
Kreu i Shtetit zhvilloi një takim me drejtuesit e Kamp Ādaži, ku janë të dislokuar Divizioni Shumëkombësh i NATO-s për Veriun, që drejtohet nga Danimarka, si dhe Grupi i Betejës së NATO-s, në kuadër të prezencës së përparuar që drejtohet nga Kanadaja, raporton A2.
A2 shkruan se presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin e kontingjentit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar se: ata janë krenari e Shqipërisë dhe me veprën e tyre lartojnë flamurin dhe emrin e saj në botë.
Gjatë bisedës me ushtarakët, Presidenti Begaj shprehu “mirënjohje për sakrificat e tyre, duke i garantuar mbështetjen e tij dhe të shtetit për pjesëmarrjen në këtë mision që nderon Shqipërinë e rreshtuar në bllokun e Aleancës kundër agresionit rus në Ukrainë”, citon A2 presidencën.
Kreu i Shtetit rikonfirmoi angazhimin për shtimin e kontributit ushtarak të Shqipërisë në përputhje me nevojat dhe kërkesat e Aleancës.
Gjatë vizitës në Kamp Adazi, Presidenti i Republikës nderoi dy Dëshmorët e Atdheut që ranë në krye të detyrës në vitin 2019, Nëntetar Zarife Hasanaj dhe Major Klodian Tanushin, duke kryer homazhe në memorialin e tyre. (A2 Televizion)