Ministri i Shtetit në Greqi, Stavros Papastavrou ka bërë një vizitë në Shqipëri. Sipas informacioneve të bëra publike nga mediat greke, Papastavrou është takuar me kryebashkiakun e zgjedhur të Heimarrës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg.
Takimi u zhvillua në burgjet e Durrësit, mirëpo në ato momente u ndërpre energjia elektrike.
Sipas të njëjtin informacion, vizita bëhet në funksion të vazhdimit të gjyqit që pritet të mbahet nesër, për t'i shprehur edhe një herë mbështetjen e tij.
“Jemi këtu në mbështetje të Fredi Belerit sepse situata është shumë e rrezikshme. Ai ka 7 muaj që mbahet në burg dhe po i mohohet e drejta e tij për t’u betuar. Është i vetmi kryebashkiak në Europë që është zgjedhur nga qytetarët dhe nuk lejohet të betohet. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të lejojnë betimin e tij si shprehje e të drejtës universale të të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër lejimi i tij për t’u betuar do të ishte shprehje e vullnetit të fqinjësisë së mire. Duhet të gjendet një zgjidhje e drejte dhe të nisë nesër një gjykim i drejtë nga drejtësia shqiptare, duke qenë se Shqipëria aspiron hyrjen në BE dhe kjo të jetë një shenjë e fqinjësisë së mirë. Ne solidarizohemi plotësisht me të drejtën e Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i zgjedhur”, tha ministrit Papastavru.
Teksa rri në paraburgim prej 12 majit, Beleri ka shkuar për të tretën herë në Gjykatën e Lartë, ku kërkon heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg”. Kjo masë sigurie, si edhe rrëzimi i deritanishëm i kërkesave të tij për leje të veçantë, nuk i kanë krijuar mundësi Alfred Belerit të betohet para Këshillit Bashkiak dhe të marrë detyrën e kryebashkiakut. Më herët, Gjykata e Lartë ka refuzuar dy kërkesa të Belerit për ndryshim të masës së sigurisë.
Aktualisht, Beleri po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” dhe procesi ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të prokurorisë. Sipas SPAK, ai ka premtuar shuma parash në këmbim të votave të sigurta në procesin zgjedhor të 14 majit. (A2 Televizion)