Tym e flakë në Parlament, Ambasada e SHBA e shqetësuar për tensionet

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2023, 16:25 | Politikë

Tym e flakë në Parlament, Ambasada e SHBA e shqetësuar për

Miratimi i buxhetit 2024 mes kaosit, tensioneve dhe tymit të flakadanëve të ndezur nga deputetët e opozitës, në seancën e fundit parlamentare ka ngjallur shqetësim te Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Selia e “Rrugës së Elbasanit” në një reagim për A2CNN ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë, ku është bërë i pamundur aktiviteti normal i organit ligjvënës i vendit.

Në reagimin e saj ambasada e SHBA vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t'u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar".

Mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”, nënvizohet më tej në reagimin e ambasadës amerikane.

Ngritja e shqetësimit nga përfaqësitë diplomatike në Tiranë, vjen pas disa javëve ku mjedisi politik është karakterizuar nga tensione, që kanë arritur kulmin me përplasjet fizike mes deputetëve dhe ligjvënësve të opozitës me oficerët e Gardës së Republikës.

“Paralizimi” i jetës parlamentare përmes pengimit të ecurisë normale të punës në komisione dhe bllokimit të Kuvendit, kanë qenë format e përzgjedhura për të definuar aksionin e ashpër opozitar nga grupi i Rithemelimit, të udhëhequr nga Sali Berisha dhe grupit të deputetëve që drejtohet nga Gazmend Bardhi.

Ndërkohë në krahun tjetër, mazhoranca i ka zhvendosur punimet e komisioneve në platformat online, ndërsa në Parlament është aplikuar me votim sapo kanë nisur tensionet, ashtu siç edhe ndodhi ditën e djeshme ku buxheti u votua në më pak se 5 minuta.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu