Sondazh: Sa prezent është aktiviteti fizik në përditshmërinë tuaj?
  • Çdo ditë 46%
  • Tre herë në javë 18%
  • Vetëm në fundjavë 4%
  • Asnjëherë 32%

Berisha theu arrestin duke folur nga ballkoni, Balla: E papranueshme! Policia ta trajtojë si çdo shtetas tjetër

Nga A2 CNN
4 Janar 2024, 13:07 | Politikë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në konferencën për mediat ku prezantoi bilancin e punës së Policisë së Shtetit për 2023 dhe përcaktoi objektivat për vitin që sapo ka nisur, u pyet nga gazetarët për thyerjen e masës së sigurisë nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kreu i PD-së së Rithemelimit edhe pse në “arrest shtëpie”, më 2 dhjetor doli në ballkon duke valëvitur flamurin e demokratëve dhe përshëndeti simpatizantët me dy gishta, ndërsa mbrëmjen e djeshme iu drejtua atyre me një fjalim.

Me një mikrofon në dorë, Berisha iu drejtua mbështetësve të tij, duke thënë se do të respektojë vetëm Kushtetutën supreme, e cila sipas tij, është ndërgjegjja e demokratëve.

Lidhur me këtë çështje, Balla tha veprimet e Berishës janë të pa pranueshme, por theksoi se nuk i takon ministrit të Brendshëm të bëjë komente, por institucioneve përkatëse që janë SPAK dhe GJKKO, të cilave u janë referuar konstatimet për shkelje të masës nga ana e policisë.

Kodi i procedurës penale, neni 237 pika 4, është shumë i qartë për mënyrën e zbatimit të arrestit në shtëpi. Gjatë arrestit në shtëpi ke të gjitha ndalimet që ke edhe gjatë arrestit me burg. Ky është kodi, nuk e kam shkruar unë, as zotëria, por e kam votuar edhe unë, edhe zotëria. Dhe këtu është ndarja e dy botëve, sa e respekton ligjin. Nuk kam pasur asnjë kontakt me policinë e shtetit, sa i përket detyrës që ka policia, që shtetasi në fjalë të trajtohet njëlloj si çdo shtetas tjetër në këtë vend. Policia e ka të përcaktuar nga urdhri i dy prokurorëve sesi ushtron kontrollin në zbatimin e këtij vendimi. Policia referon te prokurorët të gjitha konstatimet për zbatimin e vendimit të gjykatës dhe urdhrit që ka nxjerrë prokuroria. Është e papranueshme, por u takon institucioneve të tjera të bëjnë komente për këtë dhe jo ministrit të Brendshëm.

Sa i përket vendimit të drejtësisë për të “izoluar” Berishën që nga 30 dhjetori, Balla u shpreh i bindur se procesi i privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” për të cilën po hetohet ish-kryeministri është korrupsion i pastër.

Nuk dua që kësaj çështje t’i jap perceptim apo ngjyrim politik. Për ne janë raste që këta persona i kanë me drejtësinë. Pavarësisht se në rastin e personit që ju flisni është një kallëzim i bërë nga ana ime në cilësinë e deputetit por edhe një qytetari. E kam ndjekur atë çështje prej vitesh, që kur gatuhej ajo formë privatizimi dhe pastaj të gjitha veprat penale që kanë pasuar. Mbetem i bindur se privatizimi i kompleksit Partizani është një rast tipik si në librat e kriminalistikës, të korrupsionit. Por nuk dua të hyjë në asnjë lloj komenti. Sot në Shqipëri përballen dy botë, keni Partinë Socialiste, grupin e saj parlamentar që nuk bën asnjë koment mbi ndonjë akuzë që ngrihet mbi ndonjërin prej nesh. Dhe keni edhe rastin tjetër që është një korrupsion i pastër. Një funksionar publik përdor firmën, pozicionin e tij për përfitime të paligjshme, apo lehtësim procedure dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Këtu është korrupsion se janë krijuar miliona pasuri.

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi