Sondazh: Cilat janë aktivitetet tuaja gjatë fundjavës?
  • Sport 13%
  • Me miqtë dhe familjen 53%
  • Rri në shtëpi 33%

Berisha, fjalim nga ballkoni, ish-kryeministri flet për herë parë që pas izolimit në shtëpi

Nga A2 CNN
3 Janar 2024, 18:06 | Politikë

Sali Berisha i ka folur mbështetësve të tij nga ballkoni i shtëpisë, aty ku po qëndron pas masës së re arrest shtëpie të dhënë nga gjykata.

Në fillim, ai ka thënë se nuk ka pasur komunikim gjatë këtyre ditëve me demokratët jo për shkak të vendimit të gjykatës, por pasi kishte kaluar një gjendje gripale. “Miqtë e mi, këto ditë nuk kemi pasur një komunikim zanor me ju. Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj.

Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë. Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do e bëj ndonjëherë”.

Me një mikrofon në dorë, ish-kryeministri iu drejtua me dhjetëra simpatizantëve të tij, duke thënë se ai do të respektojë vetëm kushtetutën supreme, e cila sipas tij, është ndërgjegjja e demokratëve.

“Vendosën t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju, por unë do ju rrëfej ju një gjë. Miqtë e mi, unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë, ajo është hyjnore dhe i bindemi asaj njëlloj si Zotit. Ndaj ju garantoj ju se Sali Berisha do të mbrojë vetëm atë që është në interesin tuaj dhe në interesin e demokratëve dhe në interesin e Shqipërisë.

Përveç kësaj, vendi, kombi ka një kushtetutë që përdhoset dhe shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama. Kushtetua ka një nen të saj, nenin 17 që përcakton se nuk ka kryeministër, gjykatës dhe prokurorë që të mohojë lirinë e shprehjes. Horat ligj nuk kanë, moral nuk kanë. Ndaj dhe ne respektojmë kushtetutën supreme. Kjo është një betejë që ka mision rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij.

Sot, unë paraqita në Facebook flamurin e PD, në fakt ai është flamuri i pluralizmit, flamuri i partisë që solli pluralizmin.

Edi Rama është vërsulur ndaj çdo demokrati, me shpresën se do mund të arkivojë në historinë PD. Ne jemi këtu sot për t’u betuar para ndërgjegjes tonë se Edi Rama me grupin e tij kriminal, me skapistët e tij do marrin shumë shpejt vendin që meritojnë”, tha Berisha.

Në fund, ai u shpreh: “Të ngrihemi me guxim, është koha e guximtarëve, është koha e sakrificave. Ne do të fitojmë”, u shpreh Berisha.

Pavarësisht se është i izoluar në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit, Sali Berisha ka deklaruar se do të vijojë ta drejtojë vetë partinë, duke refuzuar të delegojë kompetencat.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani