Një grup mbështetësish u mblodh paraditen e të martës poshtë banesës së Sali Berishës, në shenjë solidariteti me ish-kryeministrin, që ndodhet në arrest shtëpie që prej 30Dhjetorit.
Me thirrjet “poshtë diktatura” dhe “liri demokraci”, ata protestuan kundër kufizimit të lirisë së kreut të Rithemelimit, i cili e ka konsideruar të motivuar politikisht vendimin e gjykatës ndaj tij.
Berisha përshëndeti mbështetësit e mbledhur poshtë banesës së tij, duke u shfaqur në dritare me dy gishtat lart. Demokratët zbriti t’i përshëndeste edhe e bija e Sali Berishës, Argita Malltezi, që i falënderoi për mbështetjen e shprehur gjatë këtyre ditëve.
“Prangat nuk e burgosin dot lirinë. Të nisësh Vitin e Ri me një sfidë të tillë është e vështirë, por gjithashtu shumë motivuese. Asnjë diktator nuk i përballet dot shpirtit tuaj të lirë. Nuk ka pranga sistemi që mund të burgosin lirinë tuaj dhe ju jeni misionarët e kësaj lufte që nga kjo rrugicë do të shtrihet në të gjithë rrugët e Tiranës”.
Argita Malltezi rinovoi thirrjen për qëndresë, me bindjen se sakrificat e demokratëve do të shpërblehen.
Pas këtij mesazhi ajo takoi personalisht disa prej qytetarëve që ishin prezent, teksa i ati nga dritarja valëviste flamurin e Partisë Demokratike.
Nga strukturat e partisë dhe deputetët erdhi përgjigje pozitive ndaj thirrjes për të vijuar betejën. Pavarësisht se i izoluar në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit, Sali Berisha ka deklaruar se do të vijojë ta drejtojë vetë partinë, duke refuzuar të delegojë kompetencat. (A2 Televizion)