Berisha zbulon skenarin e aksionit opozitar: Do fillojmë stinën e protestave

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2023, 13:38 | Politikë

Berisha zbulon skenarin e aksionit opozitar: Do fillojmë stinën e

Skenari i aksionit opozitar kundër qeverisë së Edi Ramës nga dita në ditë ka nisur të zbulohet. Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se tashmë do të nisë “stina e protestave”, siç ai i quajti, që nënkupton një sërë protestash zinxhirë. Deri më tani, nuk flitet për një protestë masive si ato që kemi parë më herët të organizuar nga Lulzim Basha apo së fundmi nga Sali Berisha. Fillimisht, do të jenë protesta sporadike, të vogla për të shkuar drejt atyre organizimeve më të fuqishme në vazhdim, siç Berisha tha.

“Do të ketë një zinxhir protestash.Tani ne fillojmë stinën e protestave. Pa diskutim që një projekt ka ekzistuar se asgjë nuk bëhet pa projekt. Po projekti modifikohet dhe fillohet me protesta madje edhe sporadike ku të lindin, me qëllimin më madhor që të shkohet drejt organizimeve më të fuqishme në vazhdim......Unë besoj se çdo njeri që kundërshton Edi Ramën është me këto protesta”, tha Berisha.

Ai u kujdes të theksonte se këto protesta janë për Shqipërinë dhe jo për interesa të tij personale.

“Absolutisht kjo është një protestë vetëm për Shqipërinë. Kemi një dallim shumë të madh me disa arsyetime të sotme. Për ata të cilët njohin totalitarizmin dhe diktaturat, kjo që ndodh në Shqipëri është në mënyrë absolute vendosje e diktaturës mobokraci, diktaturës së bandave, por ka të tjerë, të cilët nuk mendojnë kështu sepse shohin që parlamenti ka disa forca politike. Shohin që mediat po kontrollohen, po ka edhe ndonjë zë të lirë. Shohin që njerëzit lëvizin lirshëm, shkojnë e vijnë. Ju e lexuat rezolutën ose ndoshta dëgjuat fjalën time, alfa dhe omega e fjalës sime dhe rezolutës janë mosbindja civile dhe protestat”, shtoi ai.

Aksioni do nis që nga e hëna, e ndërsa protesta do ketë edhe përpara parlamentit, gjatë zhvillimit të seancës.

“Nuk ka asnjë lidhje me SKAP-in. Po të ishte për SPAK-un, bënim thirrje të shkonim te SPAK-u. Absolutisht nuk ka asnjë lidhje. Ka lidhje me Edi Ramën dhe vendimin e tij të tmerrshëm antidemokratik që mori në parlament. Pra, është vazhdim i protestave tona. Të enjten do jemi para parlamentit. Tani nuk ka më të ndalur...Historia ka treguar se në kushte të tilla, partitë veçse janë forcuar dhe kanë ecur të sigurta drejt fitores. Kur ka ndodhur kjo në raste të përsëritura, si mund të mos ndodhë kjo me Sali Berishën? PD do shkojë drejt fitores. Është eksperiencë historike kjo, nuk më mbetet mua të bëj vlerësim...Le të presim ditën e hënë të shohim se si do jetë protesta. Ne kemi filluar protestat për rrëzimin e qeverisë. Nuk fillojnë të hënën, kanë filluar prej 5 javësh zhvillohen në parlament, shtrihen tani në rrugë, në sheshe dhe kudo”, theksoi ish-kryeministri.

Ndërkohë, ditën e hënë pritet që të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Rregullores ku pritet të miratohet ose jo kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, pas kërkesës së SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij nga “Detyrim paraqitje” në arrest shtëpie/me burg për shkak të akuzës “Korrupsion pasiv” në privatizimin e ish-kompleksit Partizani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos