“Beteja vazhdon”, Berisha nuk pranon humbjen: “Non grata” britanike shpifje

Nga Anesti Barjamemaj
18 Qershor 2024, 16:32 | Politikë

Beteja me autoritetet e Londrës do të vijojë, pohon Sali Berisha, që tashmë duket se e ka të qartë që non grata britanike do të vazhdojë ta përndjekë. Kryetari demokrat kërkon të vendosë në vend nderin sa i përket akuzave që shoqëruan vendimin, të cilat i quan shpifje dhe trillime.

“Beteja jonë vazhdon, edhe njëherë, jo për heqjen e përjashtimit, por për shpifjet, trillimet, për mbrojtjen tuaj, nga korrupsioni dhe lidhjet e krimit, të cilido qoftë, të Edi Ramës, qeveritarëve, politikanëve të korruptuar prej tij”, tha Berisha.

Berisha e quan luftë kundër opozitës ‘non gratën’ nga Britania e Madhe dhe shton se procesi në Komisionin e Posaçëm të Apelimit të Emigracionit tregoi që ndaj tij nuk ka asnjë provë.

“Ne përfituam shumë nga ky proces. Ne mësuam së pari se, çfarë manipulimesh dhe manovrimesh të ulëta u bënë për të fshehur të vërteta. Së dyti, mësuam se nuk ekziston asnjë provë, fakt, dokument që të faktojë korrupsionin, apo lidhjet me krimit të Sali Berishës”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike bëri me dije se në Komisionin e Posaçëm të Apelimit të Emigracionit ka dorëzuar mijëra faqe dokumente që mbështesin narrativën e tij se ‘non grata’ është lobim. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024