“Daltonistë për ngjyrat e flamujve,” Berisha sulmon Ramën për deklaratat në Shkup

Nga A2 CNN
22 Janar 2024, 19:55 | Politikë

Ashtu si çdo pasdite, edhe këtë të hënë mbështetës të Sali Berishës u mblodhën në atë që është quajtur tashmë “Rrugica e Shpresës.”

Në fjalimin e sotëm, kreu i Rithemelimit u ndal ndër të tjera edhe te deklaratat e bëra nga kreu i qeverisë në samitin e mbajtur në Shkup.

Teksa theksoi se që nga viti 2013, kur ai la pushtetin, e deri më sot, Shqipëria ka bërë hapat më të ngadalta në histori në rrugën drejt anëtarësimit në Union, ish-kryeministri bëri përgjegjës Edi Ramën, qeverinë e tij dhe “grupet kriminale të organizuara në drejtësi dhe institucione të tjera.”

“Në qoftë se ndalemi vetëm dy vitet e fundit, pas miratimit në parim të hapjes së negociatave, çfarë ndodhi? Duhet të hapeshin në fakt vetëm dy-tre muaj pas parimit. Kanë kaluar 2-3 vjet. U tha në dhjetor, por në dhjetor erdhi lajmi tjetër se shtohen kushtet për Shqipërinë, para se të hapen negociatat.”

Berisha kritikoi Ramën për thirrjen e bërë në Shkup për të lënë mënjanë flamujt dhe ngjyrat e tyre.

“Një thirrje të tillë, në pamje të parë të duket kozmopolit, por jo kurrë. Sepse çdo njeri që njeh historinë e BE, e ka të qartë se është histori e bashkimit të flamujve krenarë të çdo kombit të tij. Dhe se ai flamur i bukur i BE, që përfaqëson kombet në sfondin e tij me nga një yll, nuk do të ishte aty po të mos ishin flamujt krenarë të kombeve krenare të BE.”

Po ashtu, kreu i Rithemelimit akuzoi qëverinë Rama për vjedhje të fondeve të BE-së ndër vite dhe i bëri thirrje ekzekutivit të Unionit që të sjellë në Shqipëri zyrën e prokurorit evropian për të hetuar.

“Duhet ta kemi të qartë çdo shqiptar, se Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë këto 32 vite shumë miliarda euro, të cilat bëjnë më shumë se të gjitha ndihmat e të gjithë donatorëve të tjerë të marrë së bashku. Komisioni Europian, këto ndihma i ka marrë nga taksapaguesit evropiane dhe të mos llogarisim këtu ndihmat e vendeve anëtare në marrëdhënie direkte.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos