Diaspora sërish pa zë në zgjedhje? Haçka: Kushtetuesja është shprehur qartë, turp për Kuvendin

Nga A2 CNN
31 Janar 2024, 20:03 | Politikë

Diaspora sërish pa zë në zgjedhje? Haçka: Kushtetuesja

Paralajmërimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi se diaspora mund të mbetet sërish pa votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, solli reagim të menjëhershëm të disa prej zërave më të fortë që luftojnë prej vitesh për këtë çështje.

Në një lidhje për Ditarin e mbrëmjes në A2 CNN, Florian Haçka, bashkëthemeluesi i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e lirë” u shpreh se kjo gjë është për turpin e Kuvendit të Shqipërisë dhe shtoi se një palë zgjedhje të reja pa votën e diasporës dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të ishin në shkelje të ligjit.

“Kjo është për turpin e Kuvendit dhe deputetëve që japin deklarata. Të zhgënjyer nuk jemi pasi e njohim ambientin politik shqiptar. Me Celibashin punojmë ngushtësisht që të realizojmë votën. Nuk bie dakord me të. Vendimi i Kushtetueses është i saktë dhe detyron Kuvendin të plotësojë ligjin. Partitë duhet të lëvizin, pr/ligjin e kanë gati. Të ulen të punojnë dhe nëse zgjedhjet e ardhshme të jenë në prill të 2025 të kenë të paktën 1 vit kohë për votën e emigrantëve. Diaspora për “Shqipërinë e Lirë” është palë fituese kundër shtetit për votën e emigrantëve. Nuk ka nevojë të mblidhet komisioni për reformën zgjedhore”, tha Haçka.

Haçka shtoi se të dy palët si mazhoranca dhe opozita nuk e dëshirojnë votën e shqiptarëve që qëndrojnë jashtë territorit, për motivin e vetëm se nuk i kontrollojnë dot.

“Me këtë kod, PS i ka të kopsitura gjëra. Qeverisë i del një e re që nuk e kontrollon dot, megjithëse po mundohet. Diaspora ka dalë përtej kontrolleve partiake. Ndërsa opozita ka frike se qeveria vjedh dhe zgjedhjet jashtë. Këto janë arsyet se përse nuk e duan. Diaspora ka zë të fortë dhe ndikim. Zgjedhjet pa diasporën janë antikushtetuese”, u shpreh Haçka në Ditar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos