Vonon bashkimi i PD, Rithemelimi minimizon shqetësimet e grupit “Bardhi”

Nga Anesti Barjamemaj
31 Janar 2024, 15:10 | Politikë

Vonon bashkimi i PD, Rithemelimi minimizon shqetësimet e grupit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Flamur Noka, u mundua të qetësonte kolegët e grupimit Bardhi, të cilët kanë nisur ta shprehin publikisht se vonesa në procesin e bashkimit po kthehet në shqetësim.

Agron Gjekmarkajt pak ditë më parë deklaroi se nuk do pritet pafund për bashkimin, duke paralajmëruar edhe skenarin e krijimit të një formacioni të ri politik.

“Gjekmarkaj nuk ka thënë për asnjë moment që bashkimi nuk do ndodhë, bashkimi do ndodhë. Unë jam në kontakt të përditshëm me kryetarin e grupit, zotin Bardhi, me zotin Gjekmarkaj, të cilin e kam edhe mik. Nuk ekziston askund as edhe një hije e vogël për bashkimin”.

Deputeti Saimir Korreshi, që gjithashtu mbështet grupin Bardhi, nga studio e A2 CNN ngriti shqetësimin për vendime të njëanshme të Rithemelimit, referuar emërimit të 4 koordinatorëve për organizimin.

“Është një agjendë që nuk i përket demokratëve të përbashkuar. Unë mendoj se PD para se të gjejë koordinatorët duhet të gjejë rrugët e bashkimit. Gjithë demokratët në bazë bashkohen, nëse partia në qendër jep sinjale bashkimi,” deklaroi Korreshi.

Sërish Noka u detyrua të shuajë flakët.

“Nuk ka asgjë këtu për t’u shqetësuar. Gjithçka ka të bëjë me fuqizimin e zyrës së organizimit të partisë. Të vetmit që mund të shqetësohen janë segmente të rilindjes, grupi parlamentar i PD nuk është i shqetësuar”.

Optimizmit të shfaqur javëve të fundit, numri 2 i Rithemelimit i shtoi këtë herë edhe afat kohor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos