“Donte ekzekutimin e qytetarëve”, Berisha: Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes

Nga Anesti Barjamemaj
11 Shkurt 2026, 14:56 | Politikë

Skenar për gjakderdhje dhe për ekzekutim qytetarësh. Sali Berisha artikuloi këtë akuzë për Edi Ramën pas protestës së 10 Shkurtit, ku pas përleshjeve me policinë u plagosën disa qytetarë dhe efektivë të forcave të rendit.

Në një konferencë për mediat, lideri demokrat tha se qytetarët ishin paqësorë duke shtuar se kanë mirënjohjen e tij të gjithë ata që ishin në shesh.

“Të tmerruar nga urtia dhe qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes. Kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Protestën e konsideron si një akt historik të opozitarëve, dhe sipas tij Edi Ramës iu dha një mesazh i qartë nga qytetarët. “Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt. Se Edi Rama është një kufomë politike e pakallur. Se regjimi i tij kundërmon në Shqipëri dhe në Europë dhe duhet hedhur sa më parë”, shtoi Berisha.

Berisha u doli në krah edhe mediave, duke akuzuar forcat e rendit se kanë përdorur jo vetëm ujë dhe gaz kundër gazetarëve por edhe lëndë piroteknike. “Edi Rama donte gjak për të shpëtuar plaçkën që ka vjedhur vetë dhe Lubinë. Gazetarëve u hodhën me qëllim sasi të mëdha gazi me qëllim që të mos kryenin dot detyrat e tyre. Ndaj një operatori të News24 është hedhur mjet piroteknik”.

Edhe nga kjo dalje për mediat, lideri demokrat denoncoi dhunën ndaj deputetit Nallbati, duke e cilësuar si një hakmarrje të Edi Ramës ndaj demokratit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos