34-vjetori i themelimit demokratët i gjeti të bashkuar. Përçarja e nisur më shumë se tre vite më parë duket se përfundoi në datëlindjen e Partisë Demokratike, pasi edhe gjykata e njohu zyrtarisht Sali Berishën si kryetar të kësaj force politike.
Rastësia e dhënies së këtij dokumenti nga Gjykata e Tiranës në këtë ditë, duket se kishte shtuar entuziasmin e demokratëve që ishin të shumtë në numër në festën për 34-vjetorin e themelimit të partisë.
Sali Berisha në këtë përvjetor tregoi grimca nostalgjie, duke u kthyer pas në kohë dhe bëri një panoramë të historisë së demokratëve: “Kur fluturimthi kthehesh një nga kujtimet e pasura 34-vjeçare të historisë sonë, një gjë të vjen në mendje, çfarë fati për ne të jemi pjesë e kësaj partie”.
Përçarjen e tre viteve, Berisha tha se me sakrifica demokratët e kanë lënë pas dhe kërkoi që të gjithë të mendojnë për të ardhmen: “Rikthimi i PD-së në pushtet herën e tretë do jetë fati i bardhë i vërtetë i shqiptarëve. Ditët tona të këqija janë tashmë e shkuara. Beteja jonë për shpëtimin e opozitës u krye, e fituam atë betejë”.
Për të motivuar edhe më shumë demokratët, një mesazh u erdhi nga ish-deputeti Ervin Salianji, i cili nga qelia e burgut të Fierit kërkoi vijimin e qëndresës: “Është e qartë çdo çast që shqiptarët edhe kur na gjykojnë, edhe kur na kritikojnë, e bëjnë nën ankthin që presin që ne të veprojmë. Të jemi më shumë, më të fortë sepse nga ne varet jeta e të gjithëve. Mos presim mbështetje nga ata që forcë nuk kanë, as mirëkuptim nga ata që fuqitë i kanë lënë. Është e qartë që Ata na presin”.
Një mesazh urimi u erdhi edhe nga Jamarbër Malltezi, i cili nga banesa e tij kërkoi vetëm përballje me qeverinë e Edi Ramës. (A2 Televizion)