Statuti i Partisë Demokratike pritet që të ndryshojë sërish. Ditën e nesërme Kryesia do t'i propozojë ndryshime në 2 nene, përkatësisht atë 47 dhe 51.
Ndryshimet do t’i hapin rrugën edhe katapultimit të Gazment Bardhit dhe mbështetësve të tij në Kryesi, por pritet që të ketë edhe shpërblime me poste si nënkryetare.
Në nenin 47 pritet që të shtohet një pikë që bën automatikisht, pa zgjedhje anëtarë Kryesie, deputetët që janë pjesë e Kryesisë së Grupit Parlamentar.
Neni 47
Kryesia e Partisë
1. Kryesia e Partisë drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe përbëhet nga:
a) Kryetari i Partisë;
b) Dy nënkryetarët e Partisë,
c) Sekretari i Përgjithshëm;
d) Kryetari i Këshillit Kombëtar;.
e) Njëzet anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, sipas një liste të miratuar në Kryesinë e partisë me propozim të Kryetarit të Partisë ose kandidaturave të mbështetura nga jo më pak se 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Jo më pak se 30% e antarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar.
2. Anëtari i Kryesisë nuk mund të mbajë mandat tjetër përveç atyre të parashikuar në gërmat a), b), c) dhe d) të pikës 1 të këtij neni.
3. Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta të fundit kooptohet me vendim Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, deri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47.
Po ashtu ndryshime pëson edhe neni 51, duke mundësuar kështu bërjen automatikisht të Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt nënkryetar partie, por edhe anëtarë Kryesie.
Neni 51
Nënkryetarët e Partisë
1. PDSH ka dy nënkryetar të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të këtij Statuti.
2. Në rast se pas zgjedhjes së nënkryetarëve, sipas parashikimeve të nenit 45 rezulton se kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe sipas rastit Nënkryetari/Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk janë fitues sipas kësaj procedure, atëherë ata automatikisht konsiderohen nënkryetarë të partisë për shkak të funksionit. Përgjatë këtij mandati secili prej tyre gëzon dhe ushtron të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si nënkryetarët e zgjedhur, për aq kohë sa gëzon funksionin e drejtuesit të grupit parlamentar të PD dhe/ ose atë të Nënkryetarit/Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
3. Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit Parlamentar.
Ndryshimet statutore do të propozohen nga Kryesia dhe do të miratohen nga Këshilli Kombëtar, duke shmangur kështu dhe votimin për emra të përveçëm. (A2 Televizion)