Baza e NATO-s në Kuçovë, Berisha: PD mbështet aleancën pa rezerva

Nga A2 CNN
4 Mars 2024, 11:33 | Politikë

Baza e NATO-s në Kuçovë, Berisha: PD mbështet

Nga arresti shtëpiak, ku ndodhet që prej 30 dhjetorit 2023, Sali Berisha ka përshëndetur inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s në Koçovë.

Duke folur si kryetar i partisë Demokratike, Berisha përmend anëtarësimin si një arritje të qeverisë së tij, duke u shprehur se edhe sot kjo forcë politike e mbështet aleancën pa rezerva.

“Sot u inaugurua në Kuçovë, pas rikonstruksionit të Aeroportit, baza ajrore e NATO-s në Shqipëri. Partia Demokratike, si forca politike e parë në Europën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin e vendit në NATO dhe që 15 vjet më parë me reforma të thella dhe të shumanshme antarësoi Shqipërinë në NATO, përshëndet këtë ngjarje të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut. Partia Demokratike garanton NATO-n se ajo sot dhe në të ardhmen mbështet pa rezerva bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe mbetet e vendosur në respektimin e të gjitha detyrimeve politike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj saj”, shkruan Sali Berisha.

Kjo bazë ka infrastrukturë moderne me helikopterë e dronë të armatosur dhe avionë luftarakë të Aleancës, e cila i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike. Ajo do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe, është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos