Prokuroria e Posaçme është e pakënaqur me fondet e vendosura në dispozicion nga qeveria për vitin 2025, raporton A2 CNN. Altin Dumani nuk u paraqit personalisht për të kërkuar më shumë para nga deputetët, por dërgoi kolegun e tij, Alfred Shehu.
“Për sa i përket shpenzimeve kapitale, kontatojmë që nuk janë marrë në konsideratë krkesat shtesë lidhur me pagat, por gjithashtu do të ishte e nevojshme edhe një plotësim i plotë i kërkesave në zërat e tjerë”, tha Shehu.
Me përfundimin e procesit të vetingut vitin e ardhshëm, Prokuroria e Posaçme do të marrë edhe kompetencat e Komisionerit Publik së bashku me stafin përkatës. Për këtë lëvizje, SPAK ofron një propozim për Ministrinë e Financave. “Punonjësit administrativ të trajtohen me të njëjtën strukturë page të trashëguar”, tha Shehu.
Për nevojat e Prokurorisë së Posaçme, PS dhe PD u kujdesën bashkërisht që qeveria të mos shmangë detyrimet e parashikuara në ligj. Ndërkohë, demokrati Oerd Bylykbashi nuk e fshehu skepticizmin për shtimin e kompetencave dhe fuqizimin financiar të SPAK.
“Mendoni që lehtësimi i barrës që ju kanë venë mbi kurriz, mund të bëjë që mos kemi nevojë të injektojë fonde pa fund te SPAK dhe të krijojmë një lloj mostre jo vetëm financiare, por edhe juridike?”, tha Bylykbashi. “Ngarkesën tonë për kompetencat tona nuk i përcaktojmë ne, por zbatojmë ligjin”, iu përgjigj Shehu.
Për të ironizuar kolegët socialistë, Gazment Bardhi kërkoi llogari për shpenzimet që SPAK bën duke u marrë me kallëzimet për sjelljen e deputetëve në Parlament.
Në diskutimet për buxhetin e vitit të ardhshëm, përballë deputetëve nuk u paraqit as Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili dërgoi zëvendësin e tij. (A2 Televizion)