Në 95 vjetorin e vendosjes në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Kryeministri Rama e cilësoi këtë komunitet një monument të gjallë kulture.
Pas citimeve të shumta, nga Robert Elsie e deri te Naim Frashëri dhe Ismail Kadare, la edhe ai postulatin e vet.
“Me rrënjët në tokën shumë pjellore të misticizmit islam bektashizmi nuk është thjeshtë një komunitet, një sekt fetar por është një dritë udhëzuese që shkon përtej kufijve të besimit duke ofruar një mesazh të pa epur dashurie, dhembshurie dhe largpamësie dhe çka e bën unikal në llojin e vet është se brenda këtij mesazhi në mënyrë të pa ekuivok tek largpamësia bektashizmi kadhe atdhedashurinë.”
Rama pohoi se ky komunitet po tkurret dhe rrezikon zhdukjen, ndaj dhënien e statusit të shtetit sovran e sheh si një mënyrë për t’i shpëtuar.
“Ky komunitet është në rrugën e shuarjes miqtë e mi, nuk është parashikim, kjo është diçka që po ndodh para syve tanë. Prandaj, historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, se çfarë nuk dëgjon njeriu nga shqipet dhe shqipot kur i shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të bëjnë ndonjë punë që të tjerët nuk e kanë bërë. Jo.”
Sovraniteti i vendit, garantoi se nuk cënohet.
“Shqipëria është shtet unitar, do të thotë nuk është shtet federal. Edhe Italia është shtet unitar, nuk është shtet federal por i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla. Ashtu sikundër, komunitetet e tjera fetare jo vetëm nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë sepse ky nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti fetar në vetvete. Ky është trajtimi i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri Do të ishte e pakuptimtë të mos i premtonim njeri-tjetrin shpëtimin promovimin e kësaj trashëgimie të vyer kulturore kombëtare”, pohoi Rama. (A2 Televizion)