Mandati i Xhaçkës sërish në Kushtetuese, Basha kundër Bardhit: Ç'kockë ju hodhi Nikolla për të lëpirë?

Nga A2 CNN
24 Prill 2024, 12:10 | Politikë

Rreth një orë para se Gazment Bardhi të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese padinë për mandatin e Olta Xhaçkës, zëri i parë kundër kësaj forme reagimi është deklaruar kreu i PD-së zyrtare, Lulzim Basha.

Në një konferencë për mediat, Basha tha se vendi ka hyrë në krizë kushtetuese pas seancës së 11 prillit, ku socialistët votuan kundër dërgimit të mandatit të Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

Pas vendimit të shumicës në Parlament për të refuzuar Gjykatën Kushtetuese nuk ka më hapësirë për t’iu rikthyer Kushtetueses. Vendi me vendimin për Olta Xhaçkën është në krizë kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka folur. Kur flet Kushtetuesja, bindet Parlamenti. Askush nuk është mbi Gjykatën Kushtetuese, përveç Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Po pastaj ku do e çosh? Te daje Ceni? Çfarë do të thotë Kushtetuesja? Apo bëjmë sikur! Rikthimi në Gjykatën Kushtetuese s’është zgjidhje, por është ajo për të cilën fërkon duart Edi Rama. Ajo çka shqiptarët presin dhe ajo që u bëj thirrje është se çfarë janë gati të bëjnë tani që Edi Rama ua ka përplasur në fytyrë, apo mbeten peng i pazareve të errëta. I bëj thirrje mos fusni kokën në rërë si struci, mos bëni për budallenj shqiptarët dhe demokratët, hiqni dorë nga skemat boshe. Ta çosh në Kushtetuese do të thotë të bësh duanë e Ramës”, tha Basha.

Më tej, ai shpërtheu në akuza kundër ish-deputetëve të tij, duke thënë se të vetëshpallurit revolucionarë duhet të pyeten se çfarë kocke kanë lëpirë nga kryetarja e Kuvendit.

Ne kemi zgjedhur rrugën institucionale jo të flakadanëve. Këto sfida përballen duke u dhënë shqiptarëve alternativën. Këta që kanë ngritur frymën revolucionare për 5 muaj tani ishte momenti të dëshmonin shqiptarëve që nuk e kanë pasur vetëm për veten dhe karrigen e tyre, por për parime. Për parime e enjtja ishte dita kur duhej bllokuar foltorja e Parlamentit. Këto pyetje duhet t’ia bëni revolucionarëve. Çfarë kocke keni lëpirë? Çfarë kocke iu ka hedhur Lindita Nikolla që nuk dilni për një çështje kaq themelore se nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e Olta Xhaçkës, por këtu ka rënë Kushtetuta. Sot e vërteta ka dalë në sipërfaqe dhe për fat të keq ata që iu bashkuan korit të akuzave boshe ndaj PD-së janë demaskuar si pazarxhinj të interesave të vogla”, deklaroi Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos