"Mbështesim pa kushte SPAK-un", Spiropali i kthehet Bashës: Fli i qetë, PS e vetmja garantore e Reformës në Drejtësi

Nga A2 CNN
26 Janar 2024, 20:33 | Politikë

"Mbështesim pa kushte SPAK-un", Spiropali i kthehet Bashës:

Lulzim Basha akuzoi në konferencën e tij të përbashkët me gazetarët, qeverinë, se është duke sulmuar SPAK-un, i cili siç u shpreh kreu i Partisë Demokratike, është duke dhënë rezultate si asnjëherë tjetër. 

Përgjigjen në emër të shumicës socialiste ia ka dhënë kreut të PD-së, ministrja e shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali. Në një postim në mediat sociale, Spiropali, i kujton Bashës se "garantorja e vetme e Reformës në Drejtësi është Partia Socialiste."

"Prandaj, kthehu nga krahu tjetër Luli dhe fli i qetë se nuk ka punë që pret zgjimin tënd,” shkruan ministrja në përfundim të reagimit të saj. 

ELISA SPIROPALI NË FACEBOOK

“Flej ta marrsha t’keqen”, do thoshin shkodranët për Lulëzimin që këto ditë zgjohet befas për të mbrojtur SPAK-un nga ata që e dëshiruan, konceptuan, krijuan dhe e mbështesin si askush, kurrë në historinë e këtij vendi, pa kushte e pa komente kurdo e kudo godet! Dhe ata nuk janë as në qiell, as në det apo matanë detit, po janë këtu dhe quhen Partia Socialiste e Shqipërisë, forca udhëheqëse e Reformës në Drejtësi dhe e vetmja garante e thellimit të kësaj reforme historike, që askush, askurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar nuk guxoi ta mendonte seriozisht, jo më ta ndërmerrte. Prandaj, kthehu nga krahu tjetër Luli dhe fli i qetë se nuk ka punë që pret zgjimin tënd!”

Kujtojmë se teksa Partia Socialiste po përgatit një grup pune për të skanuar aktivitetin e institucioneve të pavarura, ku nuk përjashtohen as ato të gjyqësorit dhe Sali Berisha po hedh akuza të përditshme ndaj SPAK, Lulzim Basha ka zgjedhur një tjetër pozicion, atë të deklarimit të mbështetjes pa kushte ndaj organeve të reja të drejtësisë. 

“Nëse qeveria nën ankthin e asaj që ka nisur, vënia para drejtësisë përgjegjësit për korrupsion, kanë nisur përpjekjen për kontroll ndaj institucioneve të drejtësisë, do të ndeshen në kundërshtimin e fortë të PD. PD ka mbështetje pa kushte ndaj SPAK. Kush ka panik nga hetimet e SPAK, Zoti ia shtoftë panikun,” deklaroi ndër të tjera ditën e sotme kreu i PD-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos