Teksa Partia Socialiste po përgatit një grup pune për të skanuar aktivitetin e institucioneve të pavarura, ku nuk përjashtohen as ato të gjyqësorit dhe Sali Berisha po hedh akuza të përditshme ndaj SPAK, Lulzim Basha ka zgjedhur një tjetër pozicion, atë të deklarimit të mbështetjes pa kushte ndaj organeve të reja të drejtësisë.
“Nëse qeveria nën ankthin e asaj që ka nisur, vënia para drejtësisë përgjegjësit për korrupsion, kanë nisur përpjekjen për kontroll ndaj institucioneve të drejtësisë, do të ndeshen në kundërshtimin e fortë të PD. PD ka mbështetje pa kushte ndaj SPAK. Kush ka panik nga hetimet e SPAK, Zoti ia shtoftë panikun”.
Në konferencën e javore me gazetarët, lidhur me debatin kryesor politik, kreu i PD zyrtare qartësoi edhe njëherë se nuk do negociojnë për sa i përket bashkë-kryesimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Përgjigja është po. Por ai pret që puna në këtë komision të avancojë, ndaj kërkoi ndaljen e luftës politike, e cila sipas tij është një teatër.
“Thirrja ime është të lihen alibitë e të mundësohet funksionimi normal i këtij komisioni. Duhet barazi vote. Kush merr më shumë vota të bëhet deputet. Votim e numërim elektronik dhe vota e diasporës. Debati këtë javë ka qenë ik Enkelejd, hajde Oerd. Kjo është në interes të atyre që nuk e duan këtë. Nuk mendohet për interesin publik. Nuk duhet të humbasim kohë me qurravitje për interesa të vogla.”
Nga selia blu, një kërcënim e drejtoi kundër Rusisë, këtë herë duke folur nën petkun e reporterit në Komitetin Politik të Këshillit të Europës, pasi miratimit të propozimit të tij për sekuestrimin e aseteve të Federatës Ruse.
“Mesazhi që dërgojmë përmes një instrumenti të tillë të konfiskimit të pasurive ruse është një mesazh paralajmërimi për të gjithë agresorët në botë dhe ata potencial në Ballkanin Perëndimor”.
Kreu i PD zyrtare kërkoi sërish nga maxhoranca që të marrin në shqyrtim amendamentin e tij për t’i dhënë Kosovës 50 milionë Euro ndihmë ushtarake. (A2 Televizion)