“Zgjedhorja” mblidhet online, merr pjesë Alibeaj: Nikolla të ndërhyjë! Gjiknuri: S’është faji i Kuvendit

Nga A2 CNN
26 Janar 2024, 13:05 | Politikë

“Zgjedhorja” mblidhet online, merr pjesë Alibeaj: Nikolla

Pas kaosit në Kuvend, Komisioni i Reformëz Zgjedhore u mblodh online, mirëpo nuk prodhoi asgjë konkrete, ndonëse ishte mbledhja e parë që zhvillohet për shkak zhvillimeve politike brenda Partisë Demokratike.

Në ndryshim nga 2 seancat e kaluara, sot i pranishëm ishte edhe Enkelejd Alibeaj. I qetë, pa përmendur kolegët e tij të palës tjetër, Alibeaj i kërkoi ndihmë Lindita Nikolës, kryetares së Kuvendit që të mundësojë zhvillim normal jo vetëm të këtij Komisionit, por edhe të Komisioneve të tjera, përfshirë edhe seancave plenare.

“Thirrja ime i adresohet Nikollës, që të garantojë zhvillimin normal, efektiv të veprimtarisë së komisionit dhe jo vetëm. Nga ana ime do jetë kërkesë sistematike dhe insistuese që Nikolla të garantojë zhvillimin efektiv, fizik të veprimtarisë së komisionit. Jemi në këto kushte, dua të them diçka lidhur me pjesëmarrjen tonë. I qëndrojmë gjithmonë qëndrimit sipas rregullores që mbledhjet e komisioneve, do duhet të zhvillohen fizikisht. Ai është parlamenti jo i një grupi, disa deputetëve, jo i PS-së, por e të gjithë deputetëve që kanë të drejtë të shprehin mendimit, mbi të gjitha është parlamenti i shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Mirëpo, përgjigjen ia dha bashkëkryetari socialist i Komisionit, Damian Gjiknuri, i cili i tha se faji për moszhvillimin normal të jetës parlamentare nuk është i administratës së Kuvendit.

“Do ishte e pavend t’i vihet faji administratës së Kuvendit ku deputetët hyjnë në sallat ku u takon të jenë dhe vendosin të bëjnë sjellje vandale. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë parashikuar masa për këta deputetë, por nuk parashikohen masa të tjerë kur bëhet çdo veprim për të penguar mbledhjen. Varianti online nuk është i preferuari ynë, por në kushte kur jemi të detyruar po e zhvillojmë kështu”, tha Gjiknuri.

Në këtë mbledhje online, PD-ja u përfaqësua nga Alibeaj, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili është bërë edhe “molla e sherrit” me palën tjetër, si edhe Kreshnik Çollaku. Pjesa tjetër e demokratëve, mes tyre edhe aleatët, zgjodhën që të mos merrnin pjesë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos