Miratohet me votat e mazhoranncës Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin, opozita kërkoi shtyrjen

Nga A2 CNN
3 Prill 2024, 12:31 | Politikë

Miratohet me votat e mazhoranncës Komisioni i Posaçëm për

Me vetëm votat e mazhorancës, një tjetër Komision është ngritur. Bëhet fjalë për Komisionin e Posaçëm për dezinformimin, teksa opozita nuk ka qenë dakord.

Gazment Bardhi ka kërkuar shtyrjen e kërkesës së PS-së për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin.

"Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të na informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet", tha ai. 

Nga ana tjetër, Agron Gjekmarkaj tha se kjo është një tentativë e për t’u spostuar nga aferat e qeverisë dhe ndërhyrjes në lirinë e medias

“Kjo është një tentativë për te spostuar diskurin politik nga aferat e qeverisë, por përtej kësaj, ky propozim është problematik. Vjen si një tentativë e dytë për të ndërhyrë në lirinë e medias. Vjen pas dështimit të paketës anti-shpifje, një paketë që u kundërshtua fort nga ndërkombëtarët. Ngjan me atë që ka ndodhur në Turqi, mbi fjalën demokraci u bë dhunimi me i fortë i shtyllave të demokracisë. Duhet një reflektim dhe një kujdes i madh”, tha Gjekmarkaj.

Pavarësisht qëndrimeve kundër deputetëve demokratë të ngritura në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit të PS-së, Bledi Çuçi mori si shembull Komisionin e Posaçëm të Parlamentit Europian, duke thënë se fusha e veprimit është shumë e gjerë.

"Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA-në, të cilës iu referua zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe e sjellim në Parlament që të bëhet gjithëpërfshirëse.

Fakti që jemi vonë nuk duhet të na bëjë të vonojmë më tepër. Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e 4 komisioneve të tjera parlamentare (Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit). Me afat 1-vjeçar sepse fusha e veprimit të këtij komisioni është shumë e gjerë. Ekzaktësisht ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE", deklaroi Çuçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos