Gjykata e Tiranës shtyu për më 30 prill shqyrtimin e një kërkese për çregjistrimin e emrit të Lulëzim Bashës si kryetar të Partisë Demokratike nga regjistri i Partive Politike në këtë gjykatë. Kërkesa në fjalë është bërë nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur online më 27 korrik 2023nga Gazment Bardhi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë. Sipas përfaqësuesit ligjor të këshillit në gjykatë, qenia e emrit të Bashës si kryetar në regjistrin e Partive Politike nuk përputhet as me realitetin faktik e as atë juridik.
“Është botërisht e njohur, z. Lulëzim Basha, si kryetar i PD, ka dhënë publikisht dorëheqjen në 21 mars 2022. Dorëheqja e Bashës është njohur dhe konfirmuar zyrtarisht edhe me një vendim të KAS pranë KQZ dhe me një vendimmarrje po ashtu është konfirmuar dorëheqja nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor”.
Në seancën e së martës gjykata për të verifikuar legjitimitetin Këshillit Kombëtar në proces, gjykata vendosi të tërheqë një kopje të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Lartë të 27 dhjetorit 2023, që ktheu për rigjykimin në Apel legjitimitetin e vulës së Partisë Demokratike. Nga ana tjetër përfaqësues të Lulëzim Bashës kërkuan të bëhen palë në proces. Sipas tyre, PD nuk ka vend bosh për kryetar dhe se Këshilli Kombëtar nuk mund të përfaqësojë këtë parti në gjykatë.
“Këshilli Kombëtar është organ që mund të emërojë, apo të fillojë procesin e zgjedhjes për një kryetar të ri në parti, por jo të zërë apo uzurpojë pozitën e kryetarit të partisë. Përfaqësimi i organeve të partisë ndaj të tretëve bëhet ekskluzivisht nga kryetari i Partisë. Asnjë organ tjetër përfshi këtu Kuvendin Kombëtar nuk mundtë përfaqësojë partinë ndaj të tretëve”, tha Kthupi.
Në seancën e radhës gjykata do të shprehet edhe në lidhje me legjitimimin ose jo si palë të përfaqësuesve të Bashës në këtë gjykim. (A2 Televizion)