Nikolla nis seancën pa opozitën, demokratët përplasen me Gardën, PS njofton përjashtime

Nga Ervin Koçi
5 Shkurt 2024, 19:46 | Politikë

Seanca e kësaj të hëne shënoi një kapitull në ri në librin për parlamentin afunksional. Garda e Republikës ndaloi hyrjen e deputetëve demokrat në sallën e seancës plenare nën argumentin se krah tyre ishin edhe 15 deputetë që ishin në masën ndëshkuese të përjashtimit.

Përplasja agravoi deri në konfrontim fizik mes deputetëve dhe shefit të Gardës për sigurinë e Kuvendit. Por kjo nuk e pengoi Lindita Nikollën që të niste një seancë parlamentare pa asnjë deputet të opozitës në sallë, përveç atyre të PDIU-së.

Disa deputetë të grupit parlamentar të PD-së arritën që të futeshin brenda në parlament dhe të nisnin akuzat ndaj maxhorancës, ndërsa kordoni i Gardës u dislokua përpara foltores.

Flamur Noka e Gazment Bardhi së bashku me Asllan Dogjanin tentuan disa herë thyerjen e kordonit, por e patën të pamundur. Kryeministri nga ana e tij nuk tregonte shenja shqetësimi nga ajo se çfarë po ndodhte në parlament.

Zgjidhja për bllokimin e seancës ishte ndezja e pajisjes zhurmuese.

Me mbylljen e seancës, radha e fjalimeve kaloi jashtë parlamentit, ku Gazmend Bardhi akuzoi mazhorancën për dhunim të opozitës.

Siç e patë sot në kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Ahmetaj, personi i akuzuar nga njeriu më i afërt si koka e aferës së inceneratorëve dhe me urdhër të paligjshëm, deputetët e opozitës u penguan të hynin ën seancë. Edhe deputetë që nuk kishin masë disiplinore Garda me urdhër personal të Ramës, një frikacak që i fshihet gjithmonë përballjes me qytetarët dhe opozitës tentoi të lërë jashtë deputetë e opozitës. Vetëm në vende me regjime autoritare deputetë e opozitës nuk lejohen të ushtrojnë mandatin e fituar me gjak e djersë në një fushatë që Rama i vuri përballë krimin e organizuar nga njëra anë dhe paratë e Ahmetajt të aferës së inceneratorëve. E paimagjinueshme për një vend të NATO-s që deputetët të shqyhen nga këmisha e kostumi që të kenë mundësi të futen në seanca plenare. Tërësisht e shpjegueshme me kur bëhet fjalë për një regjim të korruptuar si të Ramës. As garda, as policia nuk e ndal opozitën nga përballja dhe aksioni përballë regjimit të Ramës”.

Qëndrimet e Gazmend Bardhit nuk u dukën reale për Bledi Çuçin i cili përpara kamerave mohoi atë që kishte ndodhur mes opozitës dhe gardës.

Mendoj se ky teatër duhet të marrë fund. Sot pamë një tjetër shfaqje të shëmtuar të kolegëve të opozitës. Askush nuk i ndalon deputetët e pa përjashtuar. Që kur kanë filluar me këtë histori e kanë pasur të qartë që para rregullave të parlamentit nuk do na ndalë asgjë sepse jemi mandatuar për një jetë parlamentare normale. Besoj se nëse vazhdojnë kështu, edhe ne brenda gjithë rregullave do vazhdojmë me kërkesat tona për të përjashtuar këdo që prish seancat solemne plenare apo komisionet e rëndësishme”.

Fati i parlamentit do të vijojë sërish të jetë i trazuar pasi maxhoranca njoftoi vijimin e ndëshkimeve ndaj deputetëve demokratë që bllokuan punimet e parlamentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos