Tension në hyrje të Kuvendit, deputetët e PD s'lejohen të hyjnë, Dogjani përleshet me shefin e Gardës

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2024, 17:14 | Politikë

Ka nisur me përplasje fizike mes deputetëve demokratë dhe oficerëve të Gardës së Republikës, protesta e thirrur nga opozita, që do zhvillohet në dy fronte.

Deputeti Asllan Dogjani ka qenë më i ashpri prej demokratëve duke kërkuar që të hyjnë brenda me forcë duke çarë kordonin e krijuar nga Garda në derën kryesore të Parlamentit.

Ai madje i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Rithemelimit, Flamur Noka që të thërrasë popullin që të mësyjë brenda sallës së seancave plenare.

Ça bëhet kështu. Hajde Flamur thirri të vijë populli të hyjë brenda, ta çajë rrethimin. Ça bëhet kështu, kaq diktaturë këtu. Edhe ju jeni në diktaturë mo. Edhe Enver Hoxha nuk i ndalonte deputetët për të hyrë brenda. Mos merrni urdhra të kundërligjshëm nga banditët, rrugeçërit që janë në qeveri”, tha Dogjani.

Dogjani madje është përplasur fizikisht me shefin e sigurisë së gardës brenda Kuvendit. Ai e ka tërhequr atë prej xhakete, e për një moment gati sa nuk e rrëzon në tokë, ndërsa kërkon ndihmën e deputetëve të tjerë për ta shtyrë, në mënyrë që të hapin me forcë derën.

Hape rrugën të hyj brenda”, dëgjohet të thotë ligjvënësi demokrat teksa tërheq me forcë gardistin, i cili gjatë incidentit i përgjigjet: “Mos më kap me dorë. Jam në shërbim.

Të revoltuar janë shfaqur edhe deputetët e tjerë me Albana Vokshin që teksa kërkon të futet në sallë, dëgjohet të shprehet: “Futen aty kriminelët, s’futen deputetët. Turp t’ju vijë!”.

Ndërkohë, Noka iu është drejtuar oficerëve të Gardës duke thënë: “Hapu, hapu, hape rrugën ti. Ore si nuk i lejoni ju deputetët të vijnë në punën e tyre mo. A jeni në terezi. Jeni mercenarë apo njerëz që i shërbeni ligjit?”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos