U rikthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hapi i parë që ndërmori ishte bashkimi në protestën e organizuar nga Rithemelimi i Sali Berishës përballë Parlamentit.
Të shpërfillur nga mazhoranca në kërkesat e tyre, grupi parlamentar nuk është bashkë vetëm në aksion parlamentar. Ndonëse në numra ishte modeste, protesta arriti të tregonte muskuj përballë numrit të lartë të forcave të rendit.
Aksionin tashmë e kanë bashkë edhe në shesh proteste, ku demokratëve iu bashkua edhe Petrit Vasili nga Partia e Lirisë. Përsëritën me radhë sloganin e Rithemelimit “O sot, o kurrë” kundër qeverisë Rama, ndërsa Gazment Bardhi zgjodhi të mos ngjitej në podium. Ai që i qëndroi në krah gjatë gjithë ditës ishte Flamur Noka, që mbajti fjalimin kryesor.
Por, më shumë se fjalët e deputetëve, tubuesit po bëheshin gati për të dëgjuar tjetërkënd: Sali Berishën.
Marshimit drejt rrugës pranë shtëpisë së liderit opozitar në arrest shtëpie iu bashkua edhe Gazment Bardhi. Kësaj here pati vetëm një fjalim, ai i Berishës nga dritarja: “Më 20 shkurt Shqipëria në Tiranë, në ditën antitirani, në ditën antiEdvin, në ditën kundër Edvinit, kundër krimit, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. 20 shkurti është dita e triumfit tonë. Luani u zgjua, mjerë hienat çfarë do të shohin nga luani”.
Vendimit të Sali Berishës iu bind dhe Gazment Bardhi, i cili pohoi se tashmë demokratët do të jenë të bashkuar dhe në terren.
(A2 Televizion)