Gazetari Osman Stafa shprehu kritika të forta ndaj mënyrës se si funksionon Kuvendi i Shqipërisë, gjatë një debati me deputeten e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Duke iu drejtuar deputetes socialiste, Stafa tha se përvoja e tij shumëvjeçare në ndjekjen e aktivitetit parlamentar e ka bindur se deputetët, pavarësisht forcës politike që përfaqësojnë, shpesh nuk luajnë një rol aktiv në vendimmarrje.
"Për shembull, ju jeni një deputete e re. Unë kam më shumë vite se ju që mbuloj Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe e shikoj me fatkeqësinë më të madhe teksa deputetët, jo vetëm ju, por edhe ata më herët, para se të vinte Partia Socialiste, përdoren për të ngritur kartonin. Nuk kanë ide, nuk kanë mendim", u shpreh Stafa. (A2 Televizion)