Politikani Petro Koçi komentoi protestën e cila ka hyrë në ditën e saj të 39-të, duke theksuar se ka diçka që nuk shkon kur “në një protestë bëhen bashkë ballistët e dikurshëm me ca komunistë të rinj dhe me vorioepiriotët e përhershëm”.
Gjithsesi, në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Koçi theksoi se “pjesa e shëndetshme e kërkesave të protestuesve kërkon reflektim serioz”.
“Ndaj protestës nuk mund të jemi as reaksionarë, që ta quajmë negative, por as naivë. Sepse të konsiderosh për shembull që në një protestë bëhen bashkë ballistët e dikurshëm me ca komunistë të rinj dhe me vorioepiriotët e përhershëm, Fred Belerët me shokë, këtu ka diçka që nuk shkon, apo jo? Do të thotë që ka disa gjenerime të cilat nuk është se lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e pastra të të protestës, por unë mendoj që protesta duhet shfrytëzuar pozitivisht. Skema aktuale kushtetuese është ezauruar dhe ka nevojë për një ndryshim sepse mendoj që pushtetet kanë nevojë për një balancë të re, të kenë më shumë ndërkontroll. Dobësimi i rolit të Presidentit është i dukshëm. Por, kjo kërkon një investim të pjekur, nuk bëhet me presion”, tha Koçi.
Sa i përket 5 pikave të protestuesve, Koçi deklaroi: “Ata thonë që në fillim që kryeministri duhet të japë dorëheqjen. Kjo nuk shkon. Që në fillim i ke thënë praktikisht që nuk duam t’i plotësosh pikat. Është një lloj arrogance kjo. Presioni i protestës duhet të shkojë drejt demokracisë. Kurse kërkesat që kanë lidhje me pushtetin, për mua nuk janë frytdhënëse për atë që pretendohet. Pushteti është “domain” i partive politike, jo i popullit. Në parti ka nevojë për reflektim. Pjesa e shëndetshme e kërkesave kërkon reflektim serioz. Unë kam dëgjuar që Edi Rama ka thënë se PS-ja do të reagojë ndaj kërkesave. Duhet reflektim edhe në çështjen e drejtësisë”. (A2 Televizion)