Gazetari Lutfi Dervishi deklaroi se problemi nuk është fondi prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye Ëest, por fakti që socialistët, sipas tij, kanë shpërfillur edhe fjalët që kanë thënë vetë.
“Problemi është që këtu nuk ka rëndësi fjala. Ku shkon fjala e ministrit të Financave, ministres tjetër, deputetëve që thonë zero lekë nga buxheti i shtetit… Tani thonë “do kthehen mbrapsht”. Domethënë, të tallesh me ndërgjegjen normale të një njeriu. Nuk po flasim sa kthehen mbrapsht e sa do ikin. Ajo çfarë mbetet është kjo: këtu ka një mentalitet tjetër. Ne mund të bëjmë çfarë të duam. Ne e pranojmë që gabojmë, por nuk mendohet kurrë që ne mund të ikim nga pushteti. Dhe barazimi i një partie, një njeriu, me Shqipërinë. Kjo është komplet anormale dhe alogjike. Populli mund të gabojë, por populli është ai që i korrigjon shumë shpejt. Ikja nga pushteti, largimi, hapja e krahut, rotacioni i ka bërë PS-ja. Ka ndërruar 4-5 kryeministra. Nuk e gjeti gjë Shqipërinë. Vazhdoi proceset, eci përpara. Domethënë, nuk ka qenë tragjedi ndonjëherë ndërrimi i një kryeministri, as ndërrimi i një qeverie dhe as rotacioni politik. Po përjetohet si tragjedi kombëtare nëqoftëse ndodh një lloj ndryshimi”, tha Dervishi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Protesta e ka dhënë mundësinë, 40 ditë po jep një mundësi, thotë “ne nuk kemi krijuar parti politike, nuk po kërkojmë të largoheni ju e të vijmë ne”. I ka dhënë një mundësi për të ndryshuar. Çfarë është ndryshimi? Këtu janë vetëm disa fjalë. “Po ju dëgjojmë, po mbajmë shënime”. Me veprime konkrete bëjnë të kundërtën. Dhe në këtë rast, kjo është simbolika e këtij veprimi. Nuk është thjesht çështja e 4 milionë eurove që mund të ishin blerë avionë për zjarrfikëse, apo të ishin bërë ambulanca, apo të ishin investuar në fusha të tjera. Nuk është thjesht kjo aritmetikë e buxhetit. Është thjesht gjesti që ti bën, që thjesht shpërfill edhe fjalën që ke dhënë vetë”, shtoi Dervishi. (A2 Televizion)