Shtyrja e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve me kërkesë të mazhorancës, pa një afat të caktuar, për Gazment Bardhin nuk është një tërheqje nga dialogu, por marrje kohe për të detajuar pikat për të cilat është rënë dakord në parim.
Pasi informoi grupit parlamentar për dialogun me Partinë Socialiste, Bardhi deklaroi për mediat se opozita nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj dhe pret që negociatat të përmbyllen me produkt konkret.
“Po vijon puna për të tria çështjet, nëse finalizohet dakordësia bëhet me vonë në Kuvendin e Shqipërisë. Pra miratohen tri vendimet që është rënë dakord, nëse nuk finalizohet, ju do merrni vesh arsyen. E përsëris grupi i PD-së i qëndron pikë për pikë dakordësinë në parim”, tha Bardhi.
Kreu i grupit demokrat pohoi se grupi i punës me 4 anëtarë do të ketë kompetenca jo vetëm për Reformën Zgjedhore dhe çështje të tjera që kërkojnë 84 vota, por mohoi se do të preket paketa ligjore e Reformës në Drejtësi.
“Është për çdo ligj që kërkon 3/5 e votave, ka pasur lajme fake se pjesë e këtij komisioni do të jenë ligje që prekin Reformën në Drejtësi, kjo është një e pavërtetë. Nënkomisioni nuk ka lidhje me paketën që prekin ligjet e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Bardhi.
Pavarësisht garancive që jep Bardhi, se dakordësia e arritur shkon në favor të opozitës, nënkryetari i grupit, Ervin Salianji, beson se Partia Demokratike del më e dobët nga dialogu me mazhorancën.
“Jemi në kushtet, ku jemi përpara një ligji që kufizon transparencën në komision. Që kufizon të drejtën e hetimit parlamentar të opozitës. Në fund të ditës, se mbase e kam dëgjuar vetëm unë, por a ka tre muaj Rama që thotë me ligjin e ri jep të tetë komisionet hetimore? Unë nuk mund të bëj dot me gjasme, të them fituam kur morëm dy kur Rama të jep tetë. Të jep tetë se praktikisht nuk të jep asgjë”, tha Salianji.
Pavarësisht kundërshtive brenda grupit parlamentar, aleatët e Partisë Demokratike duket se janë të kënaqur nga kthimi i normalitetit parlamentar.
“Opozita duhet të mendojë dhe duhet të veprojë, është që duhet të ketë një plan parlamentar. Dhe pastaj në diskutimet që do të bëjnë në atë grupin e vogël, të ketë parasysh se si të kthejë kushtetutshmërinë në parlament dhe ligjshmërinë në vend, në raport me qeverinë. Dhe sa i përket reformës zgjedhore, e përsëris që ka nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse dhe garanton kushtetutshmërinë e parlamentit”, tha Mediu.
Mediu kërkoi që përfaqësuesit e opozitës në nënkomision të marrin mendimet e të gjithëve që pakica parlamentare të ketë qëndrim të unifikuar. (A2 Televizion)