Më 15 tetor Shqipëria do të ulet në tryezë me BE në Luksemburg për të zyrtarizuar hapjen e kapitujve të pare të negociatave, të njohur si themelorët. Data u konfimua nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Bashkimit Europian gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Rama në Budapest, ku u takua me homologun e tij.
Victor Orban në konferencën e përbashkët për shtyp nuk e fshehu faktin që ky vendim për Tiranën zyrtare vjen pikërisht gjatë Presidencën Hungareze të unionit.
“Javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grup kapitulli i pare. Jemi shumë krenar që ky moment, vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka edhe Presidencën e Këshillit të BE-së. Kura më e mirë për të gjithë është që Bashkimi Europian t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku tek ne, në familjen europiane”, tha Orban.
Ndërsa kryeministri Rama u shpreh; “ne do të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me Bashkimin Europian, pra një grup të tërë kapitujsh dhe në këtë mënyrë, ne do të hyjmë në një fazë integrimi e cila është vërtetë e përparuar, e avancuar”
Si për t’i kthyer respektin, shefi i qeverisë shqiptare e quajti kryeministrin hungarez Victor Orban, jo vetëm mik, por si një frymëzim për qeverisjen dhe reformat e brendshme.
“E kemi parë Hungarinë si shembull, si model sa u përket reformave të brendshme në administratë, në qeveri. Të gjithë e dimë që Victor Orbán ndoshta është me i lehti për t’i hedhur fajin për gjithçka që ndodh në botë, por për mua ai është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë”, tha Rama.
Para se ekipi shqiptar të zhvillojë takimin e dytë me zyrtarët e BE për integrimin, Kryeministri Rama do të ketë një ndalesë në Gjermani për të marrë pjesë në takimin e 10 të Procesit të Berlinit me 14 tetor. (A2 Televizion)