Reforma zgjedhore, PD-ja kërkon rikthimin te marrëveshja e 5 qershorit 2020, Bylykbashi: Partitë të marrin peshën me votë, jo me pazare

Nga A2 CNN
25 Prill 2024, 12:00 | Politikë

Partia Demokratike kërkon rikthimin te marrëveshja e 5 qershorit e vitit 2020 për reformën zgjedhore. Në një deklaratë për mediat Oerd Bylykbashi foli për platformën e demokratëve për këtë çështje duke adresuar problematika dhe propozimet.

“PD kërkon rikthimin te marrëveshja e 5 qershorit 2020, që ka trajtimin e plotë të problematikave të zgjedhjeve, të cilat vetëm janë rënduar edhe më shumë duke e bërë më dramatike situatën zgjedhore dhe cenimin e votës së shqiptarëve. Është një marrëveshje konsensuale dhe bazë shumë e fortë që ne të ecim përpara dhe Edi Rama nuk mund t’i shmanget. Ai e rrëzoi me ndryshimet e njëanshme kushtetuese të sistemit zgjedhor”.

Bylykbashi theksoi se partitë duhet të garojnë në mënyrë autonome, në mënyrë që zgjedhësit të zgjedhin partinë që duan, për të marrë peshën me votë dhe jo me pazare. Sipas tij, ky model është funksional dhe ka garantuar rrotacion politik në vitin 2005 dhe në 2013.

“Ne kërkojmë që sistemi zgjedhor të rikthehet në parametrin thelbësor që kishte. Kërkojmë Rikthimi i koalicioneve siç kanë qenë në 2020, ku të gjitha partitë e koalicionit shfaqen ne fletë me emrin e vet dhe zgjedhësi voton partinë që do pra listat e hapur e partitë koalicionit. Partitë duhet të kenë të drejtën të garojnë në mënyrë autonome dhe zgjedhësit të kenë të drejtën që brenda koalicionit të zgjedhin partinë që duan ata. Ajo që sugjerojmë është që përveç versionit të koalicionit që Rama futi në kodin zgjedhor në tetor 2020 të jetë edhe koalicioni më listë të përbërë ku çdo parti del me listë më vete, që partitë të zgjedhin koalicion që duan zgjedhësit të zgjedhin partinë që duan. Kjo ka qenë nga vitit 2003-2008 me konsensus të të gjitha partive politike. Është modeli që ka garantuar rrotacion politik në vitin 2005 dhe në 2013 është funksional, demokratik dhe partitë marrin peshën me votë jo me pazare”.

Çështja tjetër që kërkon zgjidhje sipas Bylykbashit, është pabarazia e votës. Ai tha se PD  kërkon pluralizëm politik mbi bazën e votës dhe lista të hapura.

“Çështja tjetër është që të mos ketë pabarazi vote. Me ndryshimet në kushtetutë të vitit 2020 duke hequr  koalicionin u bë e mundur të hiqet edhe formula zgjedhore e favorshme për partitë. Qëllimi i Ramës të fshijë partitë nga skena politike e parlamentare. Ne kërkojmë pluralizëm politik mbi bazën e votës. Kemi rastin e LSI që mori 104 mijë vota dhe 4 mandate dhe Tom Doshi me 30 mijë vota mori 3 mandate. Kjo është padrejtësi e papranueshme dhe thyen çdo standard kërkojmë që kjo të zgjidhet. PD kërkon Lista të hapura. Jemi për standardin më të mirë e funksional që shumica e shteteve europiane përdorin”.

Për të trajtuar rekomandimet e OSBE ODIHR dhe problematikat e hasura në zgjedhje Bylykbashi propozoi dispozita të reja penale ose përforcim të atyre ekzistuese.

“Çështja e dytë është që ne angazhohemi që përmes përmirësimit të kuadrit ligjor ekzistues të trajtojmë rekomandimet e OSBE ODIHR janë shumë të rënda dhe duhet t’i trajtojmë duke qenë se po përshkallëzojnë. Na duhen dispozita të reja penale ose të forcojmë ato ekzistuese. Kjo platformë i përgjigjet farsës elektorale të vitit 2023 që u konfirmua me të njëjtin ton kritik të rëndë edhe nga raporti i OSBE ODIHR”.

Angazhim i PD-së do të jetë edhe për votën e diasporës, në një kohë kur censusi, sipas Bylykbashit ka prodhuar të dhëna dramatike me shpopullimin.

“PD angazhohet që në një kohë të shkurtër të bëjë realitet votën e diasporës. Censusi ka prodhuar të dhëna dramatike, por PS i fsheh, që të mos tregojnë që Shqipëria është shpopulluar. Dhe del qartë që ka pasur mbushje kutish e fenomene të tjera kriminale”.

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi