Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për ndryshim sistemi

Nga Elsa Boshku
22 Qershor 2026, 13:41 | Politikë

Ajo që nisi si një reagim për mbrojtjen e mjedisit në Zvërnec, brenda pak ditësh u shndërrua në një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të kohëve të fundit.

Nga bregdeti në kryeqytet, e më pas edhe përtej kufijve në diasporë, qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme dolën në rrugë për të shprehur kundërshtimin e tyre. Lëvizja e qershorit u quajt nga protestuesit: “Revolucioni Flamingo”.

“Një revolucion qytetar do ta quaja unë. Demokracia nuk është vetëm zgjedhje; demokracia është pjesëmarrje qytetare. Dalja në protestë është një demonstrim i qartë i pozicionit që qytetarët kanë, dhe garantimi i shprehjes së lirë të mendimit në publik është sërish një akt për t’u vlerësuar”, thotë për A2 CNN sociologia Eris Dhamo.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

“Kemi të bëjmë me një komunikim horizontal, i cili u përhap në mënyrë të jashtëzakonshme. U bë shumë viral, duke marrë spunto nga ngjarja në Zvërnec me protestuesin që u tërhoq zvarrë. Pamjet ishin shumë dramatike dhe ndodhën në kushtet kur policia ishte në kufijtë e perimetrit të sigurisë. Ajo lejoi që dhuna të ndodhte në praninë e saj. Dihet suksesi i këtij komunikimi horizontal jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera; ai ka një ndikim të jashtëzakonshëm te brezi i ri”, thotë Elvin Luku, ekspert i komunikimit.

“Nëse do të krahasojmë protestat që po zhvillohen tani prej javësh në rrugët e Tiranës, sigurisht që ato janë shumë më ndryshe nga protestat e organizuara nga partitë politike, të cilat kanë pasur një organizim shumë të strukturuar. Kur flasim për organizim politik, flasim për parti të mëdha që kanë degë dhe struktura jo vetëm në Tiranë, por edhe në bashkitë e vendit, dhe e kanë më të lehtë të mbledhin njerëz. Kur flasim për protesta qytetare, kemi të bëjmë me diçka krejt ndryshe: janë njerëz që dalin natyrshëm për të protestuar për arsye të ndryshme”, thotë Ervin Koçi, producent në A2 CNN.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

Fakti që një çështje mjedisore arriti të mobilizojë kaq shumë qytetarë është domethënës në vetvete. Në një shoqëri ku temat e mjedisit rrallëherë dominojnë debatin publik, kjo protestë tregoi se shqetësimet për territorin dhe të ardhmen mund të kthehen në faktor bashkues.

“Është interesante, sepse shoqëria jonë nuk është maturuar ende deri në atë pikë sa të shqetësohet për problemet e mjedisit, të cilat nuk janë pjesë e bisedave apo debateve tona të përditshme, qoftë edhe mediatike, megjithëse janë probleme të shumta. Për këtë arsye jam e gëzuar që një çështje e mjedisit është bërë pjesë e shqetësimit dhe e agjendës qytetare”, shpjegon Dhamo.

Megjithatë, me kalimin e ditëve, protesta nisi të tejkalonte kufijtë e kauzës që e lindi. Numri i pjesëmarrësve u rrit, ndërsa në qendër të debatit hynë edhe mënyra e qeverisjes, mungesa e dialogut dhe raporti i pushtetit me qytetarët.

“Një pjesë e mirë e zyrtarëve, në vend që të jenë kokulur përballë kërkesave dhe problemeve të qytetarëve, shpesh dëgjojnë shqetësime të shumta, madje edhe jetike, pa reaguar siç duhet. Dikush që sot përdor taksat publike duhet të ndiejë detyrimin dhe angazhimin për përdorimin e drejtë të tyre dhe duhet të jetë i përulur përballë pamundësisë për të krijuar kushte për një jetë më të mirë, jo të reagojë me kundërshtim dhe arrogancë”, shpjegon Dhamo.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

Debati nuk mbeti vetëm te projekti i kundërshtuar. Ai u zgjerua drejt mënyrës se si merren vendimet dhe sa të dëgjuar ndihen qytetarët përballë pushtetit.

“Politika në këtë vend nuk dëgjon për të kuptuar, por për të kundërshtuar. Pushteti dhe qytetarët nuk janë përballë njëri-tjetrit, por palë të procesit të demokracisë, ndaj të dëgjuarit e palës dhe detyrimi për të informuar, për të argumentuar hapat, procedurën, situatën mbi mënyrën si erdhi projekti apo fazën ku është projekti… nuk mund të thuash 'do bëhet' apo 's'do bëhet' një gjë për të cilën nuk dimë koston. Nëse informimi do kishte ardhur me argumente ekonomike, sepse do sjellë zhvillim ekonomik, por çfarë natyre i përket ky zhvillim, kush përfiton, sa i përdorshëm do jetë ky burim nga qytetarët… po marrim një vendim që do impaktojë brezat e ardhshëm”, thotë Dhamo.

Ajo që në fillim dukej si një reagim për mbrojtjen e mjedisit, po shndërrohej gradualisht në një shprehje më të gjerë të pakënaqësisë qytetare. 

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

“U duk sikur i mblodhi çështja e mjedisit, por në vetvete duket se ajo që i mblodhi është mëria me mënyrën si po qeveriset vendi, apo mënyra si përballen me pushtetin në forma të ndryshme e mënyra të caktuara të përditshme, dhe kjo ka bërë që bulevardi të mbushet plot nga qytetarë, protestues të cilët janë ndryshe edhe për një element tjetër që është elementi moshore”, thotë Ervin Koçi, producent A2 CNN.

Ndryshe nga protestat tradicionale të organizuara nga partitë politike, pjesëmarrësit në këtë protestë janë kryesisht të rinj dhe ky është një nga elementet që ka tërhequr më shumë vëmendje. Në Shqipëri po ndihej fort zëri i Gjeneratës Z.

“Nuk krahasohet dot pjesëmarrja e protestave qytetare me pjesëmarrjen në protestat e Partisë Demokratike, meqë është subjekti politik i cili ka bërë më shumë protesta muajt e fundit, duke nisur nga vjet në dhjetor deri në maj, kur stopoi, dhe stopoi për shkak të protestave qytetare. Nëse ka një komponent ku protestat e Partisë Demokratike ia kalojnë protestave qytetare, është mosha mesatare. Protestuesit e PD-së janë mbi moshën 50-vjeçare, ndërsa mosha e protestuesve këto ditë në Tiranë fillon që nga 18-vjeçarët deri në 35 dhe duket sikur stopohet në atë fashë moshore. Sigurisht ka dhe më të mëdhenj e më të vegjël, pasi prindërit marrin fëmijët me vete ose gjyshërit vijnë me nipër e mbesa, por përgjithësisht i përkasin kësaj moshe të re, që tregon edhe dimensionin si ndryshon një protestë e organizuar nga partia politike, opozita në vitet e fundit, nga ajo e një proteste qytetare”, thotë Koçi.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

“Jam entuziaste që ka një qëndrueshmëri dhe impenjim të tyre. Më vjen mirë të them që dëgjoj artikulim, argumentim, mendim, çështje sociale. Dëgjoj atë që njihet si kontratë sociale, e painformuar saktë dhe e pakuptuar qartë, për shqetësime që lidhen jo vetëm për të rinjtë, por me jetën publike dhe jetën e qytetarëve”, thotë Dhamo.

“Pakënaqësia në çdo nivel, arsimor, shëndetësor, mjedisor, është akumulim i gjerë, zemërim që mbase s'e kanë ndier drejtpërdrejt, por e kanë ndier në familjen e tyre. Ata dalin të protestojnë edhe për prindërit e tyre kundër një dhune të ushtruar prej vitesh. Prania e të rinjve u reflektua jo vetëm në numra, por edhe në mënyrën e komunikimit”, thotë Luku.

“Kjo është kultura e brezit të ri. Protesta që shohim sot është mënyra e re e të protestuarit përmes pankartave. Brezi i ri kështu komunikon në rrjete sociale – përmes memeve, videove të shkurtra, humorit, me postime të shkurtra e slogane, dhe ky lloj komunikimi viral në rrjete sociale ka zbritur në shesh përmes pankartave. Nëse deri dje thoshim që nuk ka një kulturë proteste, ja ku është; brezi i ri sot ka një komunikim ndryshe nga ai që jemi mësuar ne, por një mënyrë komunikimi më të shpejtë, më të drejtpërdrejtë. Me sa duket, brezi i ri komunikon në këtë lloj forme dhe duket e qëlluar”.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

Por çfarë e dallon këtë protestë nga lëvizjet e mëparshme qytetare?

“Kemi parë në të shkuarën edhe organizime qytetare, vullnetare, si ajo e studentëve apo e armëve kimike; ka pasur masivitet, por jo frymën e kësaj proteste. Protesta e armëve kimike kishte objektiv kryesor ndalimin e importit të armëve kimike, u realizua dhe ndaloi. Protesta e studentëve lidhej me kërkesa për jetën e studentit, por jo me jetën politike të qytetarit shqiptar, ndërsa kjo protestë ka dalë përtej. Kërkohet ndryshim politik, ndryshim i klasës politike, dhe partitë tradicionale nuk janë të dëshiruara, çka duket se po krijohet një pol i ri, i baraslarguar nga partitë tradicionale politike”, shpjegon Ervin Koçi, producent në A2 CNN.

Çdo ditë aktivistë, të rinj, prindër me fëmijë në krah e një pjesë në shesh duke u argëtuar mes thirrjeve të protestës (Rama jep dorëheqjen, dhe kalamajtë që vizatojnë). Por ndërsa protesta hynte në ditët e saj më intensive dhe nuk tregonte shenja tërheqjeje, një tjetër ngjarje në ditën e katërt do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e saj.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

Pamjet e ndërhyrjes së policisë dhe përdorimi i autobotëve me ujë kundër protestuesve u shpërndanë me shpejtësi, duke nxitur reagime edhe më të forta. “I hodhën benzinë zjarrit, jo ujë. Besoj ajo që shtoi kupën, që e derdhi kupën, ishte reagimi i Policisë së Shtetit gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael. Përdorimi i autobotëve të ujit kundër nënave me fëmijë, kundër të rinjve, ishte imazhi që nxiti edhe më shumë reagimin e qytetarëve. Nëse në fillim dolën për një akt vandal në Zvërnec, ku një punonjës policie private goditi dhe tërhoqi zvarrë një qytetar dhe policia nuk reagoi, imagjinoni se si u rrit mllefi i qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë kur panë Policinë e Shtetit të godiste nënat me fëmijë me ujë. Në moment u rrit më shumë mllefi dhe të nesërmen numrat ishin dyfishuar; mllefi ishte më i madh dhe filluan të artikuloheshin tezat politike, sepse ditën e parë e të dytë flitej më shumë "anulo projektin", "zonë e mbrojtur", "Trump largohu", por pas kësaj ngjarjeje filluan tezat për largimin e partive politike”, thotë Luku.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

“Jam dakord që qeveria duhet të marrë vendime dhe prandaj e kemi zgjedhur, e me të drejtë qeveria thotë "unë kam marrë zgjedhjet", po sa është kjo përgjegjësi, është edhe detyrim për të dëgjuar palën përballë. Dhe pala përballë nuk është kundërshtari, por qytetarët të cilët i kanë transferuar pushtetin. Në këtë kuadër, detyrimi institucional – jo vetëm i kryetarit të qeverisë që ka marrë përsipër gjithë sqarimin apo kundërshtimin, por të gjitha institucionet duhet të japin llogari. Pra, masiviteti u shtua për shkak të mungesës së llogaridhënies, mungesës së zërave dhe qartësisë së procedurave”, thotë sociologia Eris Dhamo.

Ndërsa numri i protestuesve rritej, shtohej edhe presioni mbi qeverinë. Në përpjekje për t'iu përgjigjur situatës, debati u zhvendos shpesh edhe në rrjetet sociale, ku një rol të rëndësishëm luajtën blogerë, aktivistë dhe figura publike.

Për një moment u duk sikur dialogu zhvillohej më shumë mes politikës dhe influencuesve, sesa mes institucioneve dhe qytetarëve. Por kjo fazë nuk zgjati shumë. Kryeministri zgjodhi të adoptonte elemente të gjuhës dhe komunikimit të përdorur nga vetë protestuesit, në një përpjekje për të ngushtuar distancën me ta.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

“Mendoj që kreu i qeverisë po tenton çdo mënyrë për të zbehur disi fuqinë e protestës në shesh. Ai në mënyrë të vazhdueshme, edhe më herët përmes mënyrave të tij të komunikimit, është munduar të fusë elemente novatore. Aktualisht po u tregon protestuesve që "unë jam si ju". Pra, këtë gjuhë komunikimi që keni ju, unë e ndaj e rishpërndaj; pra, përpiqet të zbusë këtë hendek komunikimi që ka aktualisht”, thotë Elvin Luku, ekspert i komunikimit.

Opozita, që kishte bërë pa sukses 8 protesta kombëtare për largimin e Edi Ramës, u gjend në udhëkryq. Por sulmi i ditëve të para u kthye në mbrojtje e bashkim kur protestuesit vetëm sa shtoheshin përballë Kryeministrisë dhe rrugëve të Tiranës. (Statuset e Flamur Nokës nga 2 a 3 qershori e pastaj planet e KM dhe marshim për të dalë te Berisha). Sinkron Berisha mbështetës i protestës.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

Por mbështetja e saj u pa me dyshim nga një pjesë e protestuesve, veçanërisht kur në shesh nisën të dëgjoheshin edhe thirrje kundër partive tradicionale.

“Partitë politike janë të kompleksuara nga zhvillimi i protestës; kur them të kompleksuara, e kam fjalën për Partinë Demokratike. Kam pasur rast t'i ndjek protestat përditë, më së shumti si qytetar, dhe kam parë strategjitë e partive politike në protestë – këtu e kam fjalën për Partinë Demokratike. Ka shumë persona me bilbila në gojë dhe në momente të caktuara krijojnë zhurmë; pa i udhëzuar dikush, sinkronizohen. Kur thuhet "Rama n'burg, Berisha n'burg", fillojnë e u fryjnë bilbilave që të mos dëgjohet "Berisha në burg". Pra, duket se janë kompleksuar edhe vetë strukturat e partive politike që duan të mbështesin protestën për shkak të objektivit final, që është dorëheqja e qeverisë, dorëheqja e Edi Ramës, por nga ana tjetër ndihen të kompleksuar nga kërkesa tjetër që është largimi i Partisë Demokratike. Partia Demokratike e ka ndihmuar protestën kur ka nxjerrë strukturat e saj, p.sh. në protestat kombëtare si p.sh. të shtunën e kaluar, dhe u ndie impakti i tyre. Por, nëse duan ta mbështesin realisht, nuk kanë pse bëjnë organizime të tilla që në njëfarë forme zhurme krijojnë stresin e turmës; nga dëshira për ta ndihmuar mund të kthehesh në të kundërtën – i largon njerëzit kur shohin tensione...”, thotë Ervin Koçi, producent i A2 CNN.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

Ndërsa protesta vazhdon, mbetet ende e paqartë nëse kjo energji qytetare do të arrijë të përkthehet në objektiva konkrete dhe rezultate politike. “Ka tendenca që duan ta kapitalizojnë, por sigurisht që nuk e shoh ende që një subjekt i caktuar politik të ketë fuqinë t'i përthithë këta protestues në elektoratin e saj”, thotë Koçi.

“Faza e parë e protestës ia ka arritur qëllimit sepse pjesëmarrja është masive. Tashmë është momenti ku duhet të kalohet në një komunikim tjetër për të sintetizuar kërkesat që kanë. Ata kanë zgjedhur një strategji për të mos pasur një kokë përfaqësimi, sepse historia, për hir të së vërtetës, ka treguar që çdo grup përfaqësimi ka arritur të manipulohet, por kjo është e pashmangshme. Pra, nëse kërkojmë të arrihet edhe për të shkuar në zgjedhje të reja apo ndryshim kodi zgjedhor, këto kërkesa duhet të artikulohen”, thotë Elvin Luku, ekspert i komunikimit.

Revolucioni i flamingove! Nga kauza mjedisore tek kërkesat për

E nisur në Zvërnec si një protestë lokale në mbrojtje të mjedisit e kundër dhunës në sy të policisë, lëvizja që vërshoi në rrugët e Tiranës mori jehonë të pazakontë edhe në mediat ndërkombëtare për resortin luksoz të lidhur me familjarët e presidentit Donald Trump.

Me presionin e Bashkimit Europian ligji për investimet strategjike nuk do të jetë më (Rama me gazetarët e BE-së që thotë “e kreu misionin”). Edhe ligji për zonat e mbrojtura duhet të ndryshojë. Kulmi i mobilizimit u shënua më 20 qershor, kur në Tiranë u zhvillua protesta më e madhe që nga nisja e lëvizjes. Krahas qytetarëve nga mbarë vendi, thirrjes iu bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora. In fine të tubimit, protestuesit rrethuan tri herë godinën e Kryeministrisë, një simbolikë që përfaqësonte rrethimin qytetar të pushtetit. Por ndryshe nga fillimi, "Revolucioni Flamingo" u dha zë shqetësimeve që shkojnë përtej kauzës që e lindi atë. Dhe pikërisht ky transformim mund të jetë elementi që do ta dallojë atë nga protestat e shkuara qytetare. Pyetja mbetet: a do të bëhet kjo lëvizje më politike dhe oponencë e binomit Rama-Berisha, apo përtej kohëzgjatjes do të shuhet si protestat e shkuara me përmbushjen në një mënyrë a një tjetër të qëllimeve të saj fillestare? (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos